Shkencëtarët kanë zbuluar një qasje të re që mund të ndihmojë në parashikimin dhe parandalimin e kancerit në mushkëri shumë vite para shfaqjes së simptomave.
Sipas studimeve të publikuara në revistën shkencore Cell, një ekip ndërkombëtar studiuesish ka identifikuar një “nënshkrim” të përbërë nga 14 proteina në gjak, i cili mund të tregojë rrezikun e zhvillimit të sëmundjes deri në pesë vite përpara diagnozës.
Hulumtimi është realizuar përmes analizës së mijëra mostrave të gjakut, duke përdorur edhe metoda të inteligjencës artificiale për të identifikuar modelet që lidhen me zhvillimin e kancerit.
Studiuesit thonë se ky zbulim mund të hapë rrugën për teste të thjeshta gjaku, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personave me rrezik të lartë dhe në marrjen e masave parandaluese në kohë.
Po ashtu, disa barna ekzistuese janë duke u studiuar për potencialin e tyre në uljen e rrezikut të sëmundjes, duke e zhvendosur fokusin nga trajtimi i vonshëm drejt parandalimit të hershëm.
Kanceri në mushkëri mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në botë, ndërsa ekspertët e cilësojnë këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në luftën kundër tij.










