Për vite me radhë, shkencëtarët kanë paralajmëruar se gripi i shpendëve, apo i njohur ndryshe si H5N1, mund të bëjë një ditë kthesën e rrezikshme duke kaluar nga shpendët te njerëzit, dhe të rrezikojë krizën globale.
Nga viti 2003 deri në gusht të vitit 2025, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar 990 raste të H5N1 te njerëzit në 25 vende të botës, përfshirë 475 vdekje.
Vetëm në SHBA, virusi ka prekur më shumë se 180 milionë zogj, duke u shpërndarë në 18 shtete dhe duke infektuar më shumë se 70 persona, më së shumti fermerë. Kjo ka shkaktuar disa hospitalizime dhe një vdekje. Në janar, tre tigra dhe një leopard kanë ngordhur nga virusi i cili në origjinë prek zogjtë.
Simptomat e këtij gripi te njerëzit janë: temperatura e lartë, kollitja, dhimbja e fytit dhe e muskujve. Rreziku te njerëzit duket të jetë i ulët, por autoritetet janë duke e përcjellë gripin nga afër për të përcjellë ndonjë ndryshim që e bën shpërndarjen më të lehtë.
Ky shqetësim është arsyeja që nxiti studiuesit indianë, Philip Cherian dhe Gautam Menon të Universitetit Ashoka, i cili stimulon se si mund të zhvillohet një shpërthim i virusit te njerëzit dhe cilat janë ndërhyrjet e hershme që mund ta ndalojnë atë para se të përhapet.
Me fjalë të tjera, modeli i botuar në revistën BMC Public Health përdor të dhëna nga bota reale dhe simulime kompjuterike për të treguar se si mund të përhapet një shpërthim në jetën reale.
“Kërcënimi i një pandemie H5N1 te njerëzit është i vërtetë, por ne mund të shpresojmë ta parandalojmë atë përmes mbikëqyrjes më të mirë dhe një reagimi më të shkathët të shëndetit publik”, tha Prof Menon për BBC-në.
Një pandemi e gripit të shpendëve mund të fillonte në heshtje, nga një zog i vetëm i infektuar që e përcjell virusin te njeriu. Me shumë mundësi një fermeri, punonjës i tregut ose dikush që merret me shpendë. Nga aty, rreziku nuk qëndron në infeksionin e parë që ai merr, por në atë që ndodhë më pas, transmetimi nga njeriu te njeriu.
Meqenëse shpërthimet fillojnë me të dhëna të kufizuara dhe të çrregullta, studiuesit iu drejtuan BharatSim, një platformë simulimi me burim të hapur e ndërtuar fillimisht për modelimin e Covid-19, por mjaftueshëm e gjithanshme për të studiuar sëmundje të tjera.
Mësimi kryesor për politikbërësit është se sa e ngushtë mund të jetë dritarja për veprim përpara se një shpërthim të dalë jashtë kontrollit, thonë studiuesit.
Artikulli vlerëson se sapo rastet të rriten përtej afërsisht dy deri në dhjetë, sëmundja ka të ngjarë të përhapet përtej kontakteve parësore dhe dytësore.
Kontaktet parësore janë njerëzit që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë dhe ngushtë me një person të infektuar, siç janë anëtarët e familjes, kujdestarët ose kolegët me të cilët punon më afër. Kontaktet dytësore janë ata që nuk e kanë takuar personin e infektuar, por kanë qenë në kontakt të ngushtë me një kontakt parësor.
Nëse familjet e kontakteve parësore izolohen kur zbulohen vetëm dy raste, shpërthimi mund të parandalohet, thotë hulumtimi.
Por, kur të identifikohen 10 raste, është e mundshme shumë që infeksioni të jetë përhapur tashmë në masë më të gjerë të njerëzve, dhe duke pamundësuar skenarin e ndërhyrjes së hershme.
Izolimi i personave të infektuar dhe karantina e familjeve mund të ndalojë virusin në fazën dytësore. Por sapo të shfaqen infeksionet terciare, miq të miqve ose kontakte të kontakteve, shpërthimi del jashtë kontrollit nëse autoritetet nuk vendosin masa shumë më të ashpra, duke përfshirë edhe izolimin.








