Në çdo pyetje mbi gatishmërinë e Kievit për të shpallur një armëpushim, ai e përjashton skenarin korean, pra ngrirjen e vijës së frontit, nënvizon se Ukraina është sot rezerva natyrore e industrisë evropiane të luftës, një laborator, por edhe një treg potencial.
Igor Zhovkva, numri dy në zyrën e presidentit Zelensky dhe këshilltari i tij diplomatik, na mirëpret në ndërtesën qeveritare ku delegacionet e huaja hyjnë dhe dalin midis barrierave metalike dhe thasëve me rërë të vendosur nëpër dritare. I veshur me një bluzë të zezë me logon “Fuqia e Lirisë”, dhe një shtrëngim duarsh të fuqishëm, ai ulet pas tavolinës prej druri mbi të cilën bie në sy artikulli “Efekti Zelensky” e Olga Onuch dhe Henry Hale.
Sa po rëndon në negociata hakmarrja e ushtrisë ruse që po vazhdon prej disa ditësh?
Në fakt nuk ka ndonjë hakmarrje specifike, sepse rusët bombardojnë kështu çdo natë. Sigurisht, ka pasur një përdorim të konsiderueshëm të kombinuar të dronëve iranianë Shahed, raketave dhe dronëve, por e kemi parë tashmë këtë gjë edhe më parë, dhe do ta shohim përsëri.
Thelbi është një tjetër: ne duhet të shkatërrojmë potencialin e tyre, dhe po e bëjmë këtë jo vetëm me armët perëndimore, por edhe me arsenalin ukrainas të përdorur ekskluzivisht në sulmet legjitime, të cilat në dallim nga ata, nuk janë asnjëherë kundër objektivave civile dhe zonave të banuara.
Ne po shkatërrojmë aftësitë ushtarake të rusëve. Kjo është mënyra më efektive për t’u përballur me ta. Ata nuk janë të gatshëm për paqe. Mendojnë ta vazhdojnë sulmin, dhe të na vjedhin më shumë territor. Ndërkohë ne po vazhdojmë të rezistojmë, por ndërkohë duhet të forcojmë mbrojtjen ajrore, nga sistemet Samp/T tek ato Patriot.
Si e vlerësoni telefonatën e dytë midis Putinit dhe Donald Trump? Po atë me Papën?
Lexova çfarë postoi Trump në rrjetet sociale, dhe me vjen keq që ai nuk foli për këtë me presidentin tim. Herët e shkuara i telefonoi Zelenskyt para takimit me Putinin dhe më pas u takua sërish me të, kryeministren e Italisë Meloni, presidentin francez Macron, kryeministrin britanik Starmer etj.
Fatkeqësisht, këtë herë u soll ndryshe. Nga ana tjetër, nuk e dimë çfarë i tha Putin Papës, por Zelensky ishte i vetmi udhëheqës botëror që e takoi ballë për ballë në Romë, dhe e pranoi idenë e tij për një tryezë të re negociatash në Vatikan. Ne jemi të gatshëm për çdo format negociatash, përfshirë atë të Stambollit, që ndoqi në fakt modelin e dështuar të vitit 2022, dhe që në çdo rast, përveç shkëmbimit të kufizuar të të burgosurve, nuk prodhoi praktikisht asgjë të re.
Cilat janë lëvizjet tuaja të ardhshme dhe çfarë prisni nga bashkësia ndërkombëtare?
Me bashkësinë ndërkombëtare dhe me Uashingtonin, ne mbetemi tek qëndrimi që u bë i qartë në Arabinë Saudite: jemi të gatshëm për një armëpushim të plotë, por nëse rusët vazhdojnë të refuzojnë, do të kërkojmë sanksione të rënda, pasi kjo është gjuha e vetme që kuptojnë ata.
Sanksione të rënda dhe serioze. Le ta ulim çmimin e naftës, dhe të vendosim sanksione dytësore për ato vende që e blejnë naftën ruse. Le t’i godasim “anijet antazmë” duke filluar nga kapiteni, ekuipazhi. Le të shënjestrojmë bankat e mëdha që nuk janë prekur ende nga sanksionet.
Ekziston plani ushtarak por edhe ai diplomatik. Tek cili keni më shumë shpresë?
Nga pikëpamja ushtarake, situata në disa zona është e vështirë. Rusët kanë njoftuar një ofensivë të re në fillim të verës. Dhe ky është një skenar i mundur, pasi ata kanë më shumë njerëz në dispozicion. Por ne nuk po rrimë duarkryq, as në nivel ushtarak dhe as në atë diplomatik.
Madje po shohim përtej fundit të luftës, kur do të duhet të garantohet paqja.
Sot ushtria ukrainase është një nga më të fortat në Evropë, por ajo duhet të furnizohet me mjete, teknologji dhe stërvitje. Ne duhet të projektojmë se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen. Rusia ka sulmuar dhe tani për tani kemi arritur ta frenojmë me armët tuaja. Por kjo nuk mjafton: ne duhet urgjentisht të mbrohemi së bashku, të mendojmë për investime të përbashkëta ushtarake.
A mendoni se tani keni përvojë të mjaftueshme ushtarake për të qenë të dobishëm për Evropën? Kompania franceze Renault do të ndërtojë fabrika në Ukrainë për të prodhuar dronë si për Kievin ashtu edhe për Parisin…
Ne prodhojmë aktualisht sasi të mëdha dronësh detarë dhe ajrorë, teknologji precize. Për shkak të luftës, e kemi transformuar domosdoshmërinë në virtyt. Sot jemi në frontin e luftës, dhe nuk mund të mendojmë të shesim atë që na nevojitet.
Por pas kësaj do të hapet një fazë e re, dhe do të jemi në gjendje të flasim për eksportimin e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe krijimin e sipërmarrjeve të përbashkëta. Është koha të investojmë, dhe nëse e bëjmë sot do të thotë të kemi një vend të privilegjuar nesër.
Po sikur Shtetet e Bashkuara të tërhiqen nga ajo që Trump e quan një luftë evropiane?
Situata do të ishte e vështirë. Por unë nuk e besoj se do të ndodhë kjo. Ne vazhdojmë të marrim fonde dhe informacione nga SHBA-ja. Dhe vetëm pak ditë më parë, presidenti Trump dhe kancelari gjerman Merz përsëritën se donin të vazhdonin së bashku ndihmën ndaj Ukrainës. Megjithatë, Trump nuk e ka plotësisht gabim kur i kërkon Evropës të jetë përgjegjëse për sigurinë e saj.
Më thoni të vërtetën, Trump mund të mos e braktisë Ukrainën në fatin e saj, por gjithsesi ju ka zhgënjyer në jo pak raste…
Është një administratë tjetër, njerëzit kanë ndryshuar, bashkëbiseduesi ynë është Trump dhe krahasimet nuk ndihmojnë. Gjithsesi, Zelensky ka një dialog të mirë personal me Shtëpinë e Bardhë. Stili i Trrump është ndoshta i ndryshëm nga ai i dikurshmi, dhe po kështu edhe qasja e tij ndaj botës. Por kjo është ajo që kemi.
Cilat nga kërkesat tuaja janë të panegociueshme?
Ne nuk do të pranojmë asnjëherë heqjen dorë nga territoret e pushtuara nga rusët. S’do të pranojmë që agresori të vendosë për të ardhmen e Ukrainës, as që ai të përcaktojë nëse dhe si duhet të bashkohemi me NATO-n apo Bashkimin Evropian. Ne nuk do të pranojmë që ai të ndërhyjë në ushtrinë ukrainase dhe sigurinë tonë. Ne duam të zgjedhim të ardhmen tonë evropiane si evropianë. Dhe këto janë për ne “vija të kuqe”.
A mund ta pranonit një zgjidhje “koreane”, me ngrirjen e vijës së frontit?
Jo. Rusët ëndërrojnë të rikthejnë Bashkimin Sovjetik, ku ekzistonte ai lloj kufiri me Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Moldavinë. Kjo është taktika e tyre, por nuk funksionon për ne. Nëse flasim për një armëpushim, ai duhet të jetë vetëm si një hap të parë që duhet të pasohet nga të tjerë.
Për çfarë keni më shumë nevojë?
Së pari, të mbrojmë hapësirën tonë ajrore. Së dyti, të zgjidhim çështjen e rindërtimit. Pra një Plan të ri Marshall që do të angazhojë aleatët tanë, siç janë ndër të tjera edhe shumë kompani italiane, që pavarësisht luftës janë ende këtu.








