Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimeve, presidentja ka shprehur solidaritetin me familjet e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë periudhë si të vështirë si për ta, ashtu edhe për Republikën e Kosovës.
Shiroka Pula ka ritheksuar se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për ish-krerët e UÇK-së, brenda përgjegjësive dhe mundësive institucionale.
Në njoftim, presidentja ka vënë në pah edhe rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike për luftën e UÇK-së, të cilën e ka përshkruar si luftë për liri, të zhvilluar përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.
Gjatë vizitave, ajo i ka informuar familjet se do të veprojë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, në përputhje me afatet ligjore.
“Familjet nuk janë vetëm në këtë rrugëtim dhe se Presidenca e Republikës së Kosovës do të mbetet e hapur për to, duke vepruar brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi”, ka theksuar presidentja Shiroka Pula.








