Një përplasje që nisi si debat verbal në një lokal në Deçan ka përfunduar me therje me thikë dhe dërgimin e një të riu në spital.
Burimet bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi pasditen e 30 majit, kur një konflikt mes një klienti dhe kamerierit doli jashtë kontrollit.
Sipas informacioneve të siguruara, Elton Shala dyshohet se pas një zënke me kamerierin e lokalit, ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur dy herë në dorën e majtë viktimën Q.K.
Pamjet në vendin e ngjarjes kanë alarmuar të pranishmit, ndërsa viktima është dërguar fillimisht në QKMF-në e Deçanit dhe më pas me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Sinjali mëson se pas incidentit, i dyshuari është paraqitur në Polici, ku ka pranuar se kishte qenë i përfshirë në konfliktin që përfundoi me përdorimin e armës së ftohtë.
Rasti ka mobilizuar hetuesit policorë, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.









