Një konflikt i vjetër për pronën ka degjeneruar në përdorim të armës së zjarrit në Vushtrri, ku një person ka mbetur i plagosur, ndërsa autori i dyshuar është vetëdorëzuar disa orë pas ngjarjes.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari që dyshohet se ka shtënë me armë është Nehat Berisha rreth 37-vjeç. Të përfshirë në rast janë edhe Arben Berisha, Sami Berisha rreth 63-vjeç, Kujtim Berisha rreth 33-vjeç, Naim Berisha rreth 35 vjeç dhe Berat Gashi rreth 42 vjeç.
Viktima kryesore është A.M. rreth 49-vjeç, i cili ka mbetur i plagosur në pjesën e poshtme të barkut, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe djali i tij, L.M. rreth 19-vjeç.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, ngjarja ka ndodhur pasditen e 23 korrikut, rreth orës 15:00, në rrugën “Viciana” në Vushtrri, ku një mosmarrëveshje e mëhershme rreth pronës është shndërruar në përleshje fizike dhe më pas në të shtëna me armë zjarri.
I plagosuri është transportuar fillimisht në Emergjencën e Vushtrrisë, ndërsa më pas është dërguar në QKUK për trajtim të mëtejshëm. Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur tre gëzhoja të armës së shkurtër.
Fillimisht janë arrestuar katër persona, ndërsa dy të dyshuar, përfshirë personin që dyshohej se kishte shtënë me armë, ishin në arrati.
Megjithatë, rreth orës 22:00, Nehat Berisha është vetëdorëzuar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Mitrovicë-Jug. Në prani të avokatit mbrojtës ai është intervistuar dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.
Sipas burimeve, i dyshuari u ka treguar hetuesve edhe vendin ku kishte fshehur armën e përdorur në incident. Policia ka sekuestruar një pistoletë të tipit VZOR 50, me një karikator dhe katër fishekë, e cila do t’i nënshtrohet ekzaminimeve forenzike.
Rasti po hetohet për veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.








