Që në momentin kur shpërtheu sherri mes “aksionerëve” të konçensionit të aeroportit të Vlorës, gjithçka u mbush me ‘erë të rëndë’ korrupsioni dhe pazari.
Dalja në publik e Behxhet Pacollit dhe partnerit të tij Valon Ademi, të cilët u përplasën pas takimeve të Pacollit me Ramën në kryeministri, ishte një sinjal alarmi që normalisht duhej të sillte penalitete të menjëhershme për kompanitë e përfshira. Sepse një aeroport, si vepër publike, është një aset strategjik i shtetit, i cili duhet të mbrohet me ligj dhe ku çdo hap i palëve kontraktuese është i paracaktuar e i detajuar.
Por në Shqipërinë e Ramës ndodh e kundërta: palët sillen sikur janë pronarë privatë dhe jo kontraktorë të një pasurie kombëtare.
Autoriteti kontraktues, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës, jo vetëm që nuk ndërhyn, por hesht, duke i lejuar kompanitë të bëjnë sherr publikisht, të vonojnë punimet dhe të ndryshojnë afatet sipas qejfit. Në një shtet normal, do të ishin pezulluar benefitet, do të ishte marrë përsipër ndërtimi nga shteti dhe do të kishte nisur një hetim penal. Në Shqipëri, kjo farsë vazhdon me bekimin e kryeministrit.
Sherri i aeroportit ekspozon edhe mungesën totale të transparencës. Nuk dihet sa është shuma e vërtetë e investimeve, nga cilat banka janë marrë kreditë, me çfarë interesi, cilësia e punimeve, cilat janë shtesat e fondeve që do t’u jepen kompanive nga buxheti i shtetit, e deri kur pritet përfundimi real.
Afatet kanë ndryshuar disa herë. Fillimisht u tha se aeroporti do të ishte gati në 2025, më pas u shty për verën e 2026. Vera u mbyll, vjeshta po vjen dhe aeroporti është ende një gërmadhë e papërfunduar.
Një vit më parë, Edi Rama doli me bujë duke thënë se aeroporti i Vlorës do të menaxhohej nga Aeroporti i Mynihut. Ky ishte një lobim personal i kryeministrit dhe Pacollit në qarqet bavareze, por skema dështoi. Në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Mynihut, përfaqësuesi i aeroportit deklaroi se kontrata me aeroportin e Vlorës nuk do të rinovohet, duke e cilësuar këtë projekt si “krim mjedisor” dhe si “prekjen e deltës mijëravjeçare të Vjosës”.
Një vendim që i jep të drejtë denoncimeve të shoqërisë civile dhe provon se aeroporti është një projekt i dështuar që po shkatërron mjedisin.
Por problemi nuk është vetëm ekologjik. Në prapaskenë fshihen sherre politike dhe financiare. Dalja e Pacollit dhe ortakut të tij, që kishte vetëm 2% të aksioneve, nuk është një rastësi. Ajo lidhet me ndërthurjen e interesave të konsorciumeve shqiptare, të cilat kërkojnë të marrin një pjesë të tortës së aeroportit të Vlorës. Tortë që, siç ndodhi me ndërtimin, ka gjasa të përfundojë edhe në menaxhim në mënyrë misterioze, pa transparencë dhe larg syve të publikut.
Në fund, aeroporti i Vlorës nuk është thjesht një projekt infrastrukture, por një shembull i qartë i korrupsionit të institucionalizuar, i pazareve të Ramës dhe miqve të tij, dhe i tradhtisë ndaj interesit publik në emër të pasurimit të pakicës.Pamfleti









