Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka reaguar ashpër ndaj pranisë së shtuar ushtarake amerikane në Karaibet Jugore, duke deklaruar se “nuk ka asnjë mundësi” që trupat amerikane të hyjnë në territorin venezuelian.
“Nuk ka asnjë mënyrë që ata të hyjnë në Venezuelë,” tha Maduro të enjten gjatë një fjalimi para trupave ushtarake, duke theksuar se vendi i tij është i gatshëm të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial përballë asaj që ai e cilësoi si një operacion të fshehtë të SHBA-së nën pretekstin e luftës kundër karteleve të drogës në Amerikën Latine.
“Jemi më të fortë se dje. Jemi më të përgatitur për të mbrojtur paqen dhe sovranitetin,” shtoi ai, sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Venezuelës.
Ndërkohë, ambasadori venezuelian në OKB, Samuel Moncada, zhvilloi një takim urgjent me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, duke denoncuar grumbullimin ushtarak amerikan si një provokim të rrezikshëm.
“S’është gjë tjetër veçse një fushatë masive propagandistike për të justifikuar atë që ekspertët e quajnë ‘veprim kinetik’, pra ndërhyrje ushtarake”, deklaroi Moncada para gazetarëve, duke shtuar me ironi: “Po thonë se po dërgojnë një nëndetëse bërthamore… mendoni pak, kush lufton trafikantët e drogës me nëndetëse bërthamore?!”
Sipas agjencisë Reuters, një zyrtar amerikan ka konfirmuar se shtatë luftanije amerikane dhe një nëndetëse me energji bërthamore janë vendosur ose pritet të vendosen pranë ujërave të Venezuelës. Në total, më shumë se 4,500 trupa amerikane janë pjesë e operacionit, përfshirë rreth 2,200 marinsa.
Ky zhvillim pason akuzat e administratës Trump, e cila e ka shpallur kartelin e drogës “Cartel de los Soles” si organizatë terroriste dhe ka ofruar 50 milionë dollarë për kapjen e Maduros, duke e akuzuar për lidhje me trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Përballë këtyre kërcënimeve, Caracas ka nisur një kundër-ofensivë të brendshme duke dislokuar anije luftarake dhe drone për të patrulluar bregdetin, si dhe ka mobilizuar mijëra milicë për të forcuar mbrojtjen.
Venezuela ka vendosur gjithashtu 15 mijë trupa në kufirin me Kolumbinë për të luftuar kartelet e drogës dhe grupet kriminale. Maduro madje falënderoi Bogotën për shtimin e 25 mijë ushtarëve kolumbianë në atë zonë, duke e quajtur këtë një aleancë për të luftuar “bandat narkoterroriste”.
Ndërkohë që Uashingtoni nuk ka dhënë deklarata të drejtpërdrejta për një pushtim, retorika luftarake dhe prania ushtarake amerikane në rajon kanë ngritur ndjeshëm tensionet – me rrezik real për një përshkallëzim të madh ushtarak në hemisferën perëndimore.










