Tensionet në Karaibe janë në nivelin më të lartë të dekadës dhe jo vetëm për shkak të kalimit shkatërrues të uraganit “Melissa”.
Në pritje të mbërritjes së super-aeroplanmbajtëses amerikane USS Gerald Ford, anija më e fuqishme e flotës detare amerikane, e cila po udhëton nga brigjet italiane në drejtim të Amerikës, Uashingtoni ka dërguar një forcë detare gjigante përballë brigjeve të Venezuelës.
Sipas një raporti të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), ky është dislokimi më i madh ushtarak amerikan në Amerikën Latine që nga Lufta e Parë e Gjirit (1990-1991).
Ekspertët paralajmërojnë se diçka e madhe po afrohet. “Nuk dërgon një nga asetet e tua më të rëndësishme detare vetëm për ta lënë të ankoruar. O e përdor, o e rikthen. Më shumë gjasa, do të ketë sulme raketore ndaj Venezuelës”, deklaron koloneli në pension i Marinës, Mark Cancian, autor i analizës për CSIS.
Flota amerikane ka mbi 700 raketa, përfshirë 180 Tomahawk, të gatshme për goditje ndaj objektivave tokësorë.
Megjithëse uragani “Melissa” ka shkatërruar Xhamajkën dhe ka prekur Kubën, Pentagoni nuk ka ndryshuar planet. Disa anije të përfshira në operacionet kundër trafikut të drogës janë zhvendosur përkohësisht, por misioni vazhdon.
Raportohet se Forcat Ajrore amerikane kanë dërguar edhe një skuadrilje bombarduesish strategjikë B-1B drejt rajonit. Me mbërritjen e grupit të aeroplanmbajtëses USS Gerald Ford javën e ardhshme, SHBA do të ketë në total:
8 anije luftarake (6 prej tyre shkatërruese),
3 anije zbarkimi amfib,
dhe 1 nëndetëse bërthamore.
Një përqendrim i tillë forcash nuk është parë as gjatë pushtimeve të Panamasë (1989) dhe Grenadës (1983). “Ky është dislokimi më i madh ushtarak në Amerikën Latine në 25, ndoshta 40 vitet e fundit”, shton Cancian.
USS Gerald Ford do të shoqërohet nga tre shkatërrues dhe disa anije furnizimi për operacione afatgjata. Kjo flotë përfshin helikopterë SH-60R, avionë luftarakë, aeroplanë mbështetës, dhe është në gjendje të zhvillojë një fushatë të plotë ajrore dhe raketore, shumë më të gjerë sesa ajo që Donald Trump kishte shpallur fillimisht si “luftë kundër trafikut të drogës”.
“Rezultati më i mundshëm janë sulme ajrore dhe raketore, sepse kjo forcë nuk është projektuar për një pushtim tokësor”, thekson Cancian.
Sipas analistëve të El Nuevo Herald, SHBA nuk ka kapacitetet e nevojshme për një pushtim tokësor në Venezuelë dhe kjo përputhet me qëndrimin e njohur të Trump kundër dërgimit të trupave amerikane jashtë vendit.
Profesori Stephen Biddle, nga Universiteti “Columbia”, thotë për agjencinë EFE: “Në rast të një operacioni të tillë, do të ishte logjike që SHBA të dërgojë fillimisht forcat ajrore për të goditur objektivat strategjikë”.
Ndërkohë, në Porto Riko janë ngritur kampe të mëdha ushtarake, që sipas burimeve lokale, mund të jenë përgatitje për dislokime të mundshme në rajon.
Eksperti amerikan Michael Desch, nga Universiteti i Notre Dame, sheh ngjashmëri me operacionin që Trump urdhëroi më herët këtë vit në Jemen, ku aeroplanmbajtësja USS Harry Truman goditi mbi 800 objektiva Houthi. /Corriere Della Sera








