Inteligjenca amerikane ka zbuluar se ushtria iraniane ka ngarkuar mina në disa anije në Gjirin Persik në muajin qershor, një shenjë se po përgatitej të bllokonte Ngushticën e Hormuzit në përgjigje të sulmeve izraelite, thanë zyrtarët amerikanë për Reuters.
Ky veprim, sipas inteligjencës amerikane, sugjeronte se Teherani ishte serioz në lidhje me mbylljen e një prej korridoreve më të ngarkuara të transportit detar në botë, me rreth një të pestën e dërgesave globale të naftës dhe gazit që kalojnë nëpër këtë zonë ujore.
Nuk është e qartë se kur Irani i vendosi minat në anije ose nëse ato janë shkarkuar që atëherë.
Rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe një bllokim mund të kishte rritur çmimet botërore të energjisë.
Ku ndodhet Ngushtica e Hormuzit dhe pse është kaq e rëndësishme për botën?

Irani, anëtar kyç i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), prodhon rreth 3.3 milionë fuçi nafte në ditë dhe eksporton mbi 2 milionë fuçi në ditë, shumicën përmes Ngushticës së Hormuzit.
Mes shkallëzimit të tensioneve me Iranin, po rritet frika se kjo rrugë vitale e transportit mund të sulmohet apo të mbyllet.
Afro 20 për qind e naftës së botës, rreth 18–19 milionë fuçi në ditë, kalojnë përmes ngushticës.
Edhe një mbyllje e përkohshme e Hormuzit do të mund të trazonte furnizimet globale dhe të shkaktonte rritje të çmimeve.






