Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndryshuar qasjen e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor, duke u larguar nga politika e ndërhyrjeve të drejtpërdrejta dhe ndërtimit të shteteve, dhe duke u fokusuar më shumë në stabilitet, partneritete strategjike dhe interesa ekonomike.
Kjo thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit drejtuar Kongresit mbi politikën amerikane në rajon.
Në pjesën për Kosovën, raporti thekson se forcat amerikane vazhdojnë të jenë pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), i cili mbetet kyç për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes.
SHBA-ja gjithashtu vazhdon të mbështesë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale, multietnike dhe të aftë për mbrojtje territoriale.
Raporti nënvizon se Uashingtoni do të inkurajojë Kosovën dhe Serbinë që të avancojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve, me synim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe të qëndrueshme.
Në dokument thuhet se “epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka përfunduar”, ndërsa fokusi i ri është stabiliteti rajonal dhe partneritetet me përfitim të ndërsjellë.
Po ashtu, SHBA-ja identifikon si prioritete kryesore luftimin e ndikimit rus dhe kinez, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimet në energji, infrastrukturë dhe siguri, duke e konsideruar rajonin me rëndësi strategjike për interesat amerikane.









