Më 6 shtator 2025, Porti i Porto Romanos në Durrës do të presë një nga simbolet më të fuqishme të pranisë ushtarake amerikane në Europë: anijen komanduese USS Mount Whitney, bërthamën operative të Flotës së 6-të të SHBA-së.
Kjo vizitë e paralajmëruar nënvizon partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe vendosmërinë e përbashkët për të garantuar sigurinë në rajon.
Anija pritet të ankorojë në Porto Romano për shkak të thellësisë teknike që ofron ky port, i vetmi në vend që përballon parametrat e kësaj anije gjigande, me gjatësi 193 metra, gjerësi 33 metra dhe thellësi zhytjeje 9.3 metra. Kjo është hera e parë që një mjet ushtarak i kësaj kategorie vendoset në një port shqiptar.

Gjatë qëndrimit në Durrës, USS Mount Whitney do të presë një ceremoni zyrtare me pjesëmarrjen e Presidentit Bajram Begaj, Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, Shefit të Shtabit të FA, Komandantit të Forcës Detare, si dhe të Ngarkuarës me Punë në Ambasadën e SHBA, Nancy Van Horn. Pritja e organizuar në bord do të jetë një akt i fortë simbolik për rëndësinë që SHBA i kushton Shqipërisë si partner ushtarak në Adriatik dhe NATO.
Anija “Mount Whitney”, e vendosur zakonisht në Gaeta, Itali, është një platformë komanduese për operacione të ndërlikuara detare dhe përfaqëson lidhjen kritike ndërmjet forcave detare amerikane dhe strukturave ndërkombëtare të sigurisë. Ajo operon me një ekuipazh të përzier, ushtarakë dhe personel civil, në funksion të interesave strategjike të SHBA-së në Europë dhe Afrikë.

Kjo vizitë vjen në një moment ku siguria në rajon është në fokus të shtuar dhe ku Shqipëria po afirmohet gjithnjë e më shumë si aleat kyç në Mesdhe. Mbërritja e “USS Mount Whitney” nuk është vetëm një manovër ushtarake, është një sinjal politik, diplomatik dhe strategjik për të gjithë rajonin. SHBA duket se po i dërgon mesazh Moskës se janë ata që ‘qeverisin’ në Ballkan. Kjo pasi më 2 shtator e njëjta anije u ankorua në Malin e Zi.






