Pasaportat e reja të lëshuara nga Shtetet e Bashkuara do të përmbajnë imazhin e Presidentit Donald Trump, ka bërë të ditur të martën një zyrtar i Departamentit të Shtetit.
Zyrtari tha se pasaporta e re “do të jetë lëshimi standard nga Zyra e Pasaportave të Uashingtonit kur të bëhet e disponueshme” për qytetarët që rinovojnë dokumentet e tyre personalisht në agjenci.
“Aplikimet për pasaporta elektronike ose rinovimet në shërbime të tjera do të ruajnë modelin ekzistues”, shtoi ai.
Sipas raportimeve të CNN, prania e imazhit të Trump në pasaportat amerikane përbën rastin më të fundit dhe më domethënës të përdorimit të figurës së tij në artikuj që lidhen me përkujtimin e 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Pasaporta amerikane është dokument identifikimi i njohur ndërkombëtarisht dhe zakonisht ka vlefshmëri prej 10 vitesh.
Sipas dizajnit të ri, fytyra dhe firma e Trump me ngjyrë ari do të vendosen në pjesën e brendshme të kopertinës.
“Ndërsa Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e Amerikës në korrik, Departamenti i Shtetit po përgatitet të nxjerrë në shitje një numër të kufizuar pasaportash të dizenjuara posaçërisht për të përkujtuar këtë rast historik”, tha zëdhënësi i departamentit, Tommy Pigott.
Departamenti i Shtetit pritet të fillojë lëshimin e pasaportave të reja këtë verë, pa specifikuar numrin e tyre.
Ndërkohë, kopertina e pasme do të përmbajë një imazh nga piktura e John Trumbull.
Aktualisht, në kopertinën e brendshme të pasaportave amerikane paraqitet një pikturë nga Percy Moran që përshkruan Francis Scott Key, autorin e himnit kombëtar të SHBA-së, ndërsa teksti i himnit është i shtypur gjithashtu në këtë pjesë.
Departamenti i Brendshëm i SHBA-së kishte njoftuar vitin e kaluar se kishte zbuluar “dizajne të reja” për lejet e hyrjes në parqe, ku njëra prej tyre përshkruan fytyrën e Trump pranë asaj të George Washington.









