Sipas një analize të AFP mbi imazhet satelitore, katër bombardues strategjikë B-52H Stratofortress të Shteteve të Bashkuara janë aktualisht të pozicionuar në bazën ushtarake të Diego Garcia, në Oqeanin Indian.
Ky zhvillim ndodh në ditën e pestë të përplasjes Izrael–Iran dhe është interpretuar si një paralajmërim i heshtur por i qartë për regjimin iranian.
Diego Garcia, një nga bazat më të rëndësishme ushtarake të SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor, ka shërbyer më parë si pikënisje për operacionet strategjike gjatë luftërave në Irak dhe Afganistan. Por kësaj here, rëndësia e saj është e shumëfishtë: B-52H është ndër të vetmit avionë në botë që mund të mbajë bombën GBU-57 “Massive Ordnance Penetrator”, armën e vetme të njohur që mund të depërtojë në strukturat nëntokësore si bunkeri bërthamor i Fordow-it në Iran.
Imazhet e marra nga Planet Labs tregojnë se bombarduesit kanë mbërritur që në mesin e majit dhe janë të stacionuar në pjesën jugore të pistës.
Së bashku me ta ndodhen edhe një C-17 Globemaster III për transport trupash dhe gjashtë avionë KC-135, që shërbejnë për furnizim ajror – një përbërje që sinjalizon gatishmëri për misione të gjata dhe të koordinuara.
Pentagoni ka konfirmuar se po dërgon “aftësi shtesë” në Lindjen e Mesme, ndërkohë që aeroplanmbajtësja USS Nimitz ka anuluar vizitën në Vietnam dhe është drejtuar drejt Oqeanit Indian, duke përforcuar edhe më tej praninë ushtarake amerikane në rajon.
Vendosja e B-52-ve në Diego Garcia përbën një sinjal të qartë se SHBA janë të gatshme për të ndërmarrë goditje strategjike, nëse diplomacia dështon dhe nëse Irani vendos të shkojë përtej vijave të kuqe të përcaktuara.
Në një kohë kur Fordow mbetet i paprekshëm nga arsenali izraelit, vetëm një mjet – GBU-57 – mund të kryejë misionin. Dhe vetëm avionët si B-52 dhe B-2 janë të aftë ta transportojnë atë.
Vendosja e këtyre mjeteve në skakierën ushtarake është një lëvizje që flet më shumë se çdo deklaratë diplomatike. Dhe mesazhi për Teheranin është i qartë: koha për manovra po mbaron.






