Senatorja amerikane Jeanne Shaheen dhe senatori Dick Durbin kanë vlerësuar rëndësinë e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur synimin për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Dy senatorët kanë folur për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, rifillimin e Dialogut Strategjik, aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, të ardhmen e kampit Bondsteel, raportet me Serbinë dhe Gjykatën Speciale në Hagë.
Senatorja Jeanne Shaheen ka theksuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë partnerë të mirë, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe të ruajtjes së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Duke folur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Shaheen ka vlerësuar se përparimi në këtë proces kërkon përkushtimin e të dyja palëve.
Ajo ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime dhe bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me synimin për të nxitur afrimin ndërmjet dy vendeve.
Ndërkaq, senatori Dick Durbin ka thënë për RTK se dëshiron të shohë përmirësim të marrëdhënieve, por ka shprehur rezerva për mundësinë e përparimit të shpejtë në rrethanat aktuale, veçanërisht në prag të zgjedhjeve.
“Duam të shoh përmirësime, por që në këto momente, aq të afërta me zgjedhjet, nuk është se shoh ndonjë potencial të madh”, tha ai.








