Republika e Çekisë të dielën do ta zhvillojë ndeshjen e parafundit përgatitore para Kampionatit Botëror, ku në Pragë do të përballet me Kosovën në një duel miqësor që nis nga ora 16:00.
Pas kësaj ndeshjeje, stafi teknik çek do ta zvogëlojë listën e futbollistëve me tre emra, para nisjes së ekipit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Skuadra çeke do të udhëtojë menjëherë pas ndeshjes drejt Neë Jerseyt, ku më 5 qershor do të luajë një tjetër miqësore ndaj Guatemalës.
Më pas, një javë më vonë, çekët do ta nisin pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror me përballjen kundër Koresë në Guadalajara të Meksikës”, shkruan në faqen e federatës çeke.
Selektori i Çekisë Miroslav Koubek u shpreh optimist për gjendjen e skuadrës, duke theksuar se atmosfera në ekip është shumë pozitive dhe se të gjithë mezi presin nisjen drejt turneut.
“Skuadra është në disponim shumë të mirë dhe secili lojtar po e pret me padurim këtë sfidë të madhe.
Tani të gjithë duam të udhëtojmë drejt vendit ku do të zhvillohet Botërori.
Besoj se atje do të vijë edhe përqendrimi i plotë, sapo ta ndiejmë atmosferën e kampionatit”, deklaroi Koubek.
Përballja me Kosovën do të jetë një mundësi e mirë për trajnerin që t’u japë hapësirë edhe futbollistëve më pak të provuar
“Lojtarët që tashmë janë të konfirmuar dhe nuk kanë nevojë të testohen në këtë ndeshje, sidomos ata që sapo kanë përfunduar sezonin në kampionat, disa prej tyre mund të pushojnë.
Në anën tjetër, të gjithë debutuesit do të marrin minuta”, tha ai.
Megjithatë, trajneri çek theksoi qartë se ndeshja ndaj Kosovës nuk do të trajtohet si një përballje formale.
“Është një ndeshje ndërkombëtare dhe nuk ekziston mundësia ta shohim si stërvitje.
Do të kërkoj maksimumin nga skuadra. Edhe nëse kemi një formacion me më pak përvojë, motivimi duhet të jetë maksimal.
Nuk kemi asnjë arsye për ta nënvlerësuar kundërshtarin”, shtoi ai.
Çekia dhe Kosova janë përballur vetëm dy herë deri më tani, në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian të vitit 2019.
Të dy skuadrat kanë nga një fitore, ndërsa golaverazhi është i barabartë 3:3. Çekët fituan në shtëpi me rezultat 2:1, ndërsa Kosova triumfoi po me rezultat 2:1 në ndeshjen e zhvilluar në shtëpi.
Koubek vlerësoi lart Kosovën, duke nënvizuar përparimin që ka Kosova në vitet e fundit.
“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Ka avancuar në Ligën e Kombeve dhe ishte pjesë e plejofit për Kampionatin Botëror.
Kam analizuar veçanërisht dy ndeshjet e fundit, kur eliminuan Sllovakinë dhe më pas humbën ndaj Turqisë.
Është një ekip i organizuar, me identitet të qartë loje dhe me futbollistë që aktivizohen në kampionate të forta si Italia dhe Gjermania. Ishin shumë afër pjesëmarrjes në Botëror”, vlerësoi trajneri çek.









