Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër lidhur me shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohej për faturat e energjisë, Haradinaj hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e quajtur “kryehajn”, ndërsa Dejona Mihali e quajti “kryehanesha”.
“Qytetarëve të Kosovës iu është rënduar jeta, e kryeministri nuk lodhet për këtë. E ka gjetur formulën për t’i marrë votat, duke sjellë pako. Ekziston një lidhje e shkurtër e hajnisë me energjinë. Kryehajni është Albin Kurti, kryehajnesha është Dejona Mihali dhe vazhdon një listë e gjatë”, deklaroi Haradinaj.
Ai e fajësoi Kurtin edhe për anulimin e projektit për ndërtimin e termocentralit të ri, duke e cilësuar si një nga goditjet më të mëdha që i ka ndodhur Kosovës pas luftës.
“Anulimi i ndërtimit të termocentralit të ri është goditja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës pas luftës. Arkitekti kryesor i anulimit të këtij projekti është Albin Kurti dhe grupi rreth tij”, tha Haradinaj.
Ai tha se Kurti dhe njerëzit e tij nuk kanë marrë masa pas ardhjes së tyre për të prodhuar e krijuar burime të reja energjetike dhe tha se për këtë ekziston një arsye.
“A e dini pse? Se rreth tyre janë grumbulluar mafia energjetike e Ballkanit, të cilët i dominon serbët. Këtë e dinë mirë të gjithë në këtë sallë. Dhe ata, bashkë me njerëz të afërm të Kurtit, lidhja e shkurtë e Kurtit, Dejona Mihali, krijojnë kompani çdo dy javë. I regjistrojnë në Shqipëri i bien në Kosovë, kompani fantazmë. Gjithë në këto kompani është një i afërt i Kurtit”.
Ai tha se “mafia energjetike është kujdesur që të mbyllë qarkun e tregtisë me energji janë kujdesur t’i kontrollojnë të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me energji”.
“Askush prej juve këtu [deputetë të VV] s’mund të emëroni dikë në KEK as ministra të VV’së. Vetëm Albin Kurti e Dejona vendos. Në ZRRE vetëm Albin Kurti e Dejona vendos”, tha ai.









