Seanca e Kuvendit të Kosovës e thirrur për zgjedhjen e presidentit po vazhdon vetëm me pjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të saj të koalicionit.
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë larguar nga salla e Kuvendit, duke refuzuar të marrin pjesë në vazhdimin e seancës.
Thirrja e kësaj seance u bë e mundur pasi Lëvizja Vetëvendosje propozoi edhe kandidatin e dytë për president. Përveç Glauk Konjufcës, kjo parti propozoi edhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku si kandidate për postin e presidentit.
Me largimin e opozitës nga seanca dhe mungesën e votave të nevojshme, pritet që Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet gjatë mbrëmjes.









