Emri i Trejsi Sejdinit, fituese e Miss Universe Albania 2018, u përmend edhe në dosjen e SPAK në maj të vitit 2024. Sipas materialeve hetimore, aty thuhej se Leonard Duka kishte porositur një mik të tij që t’i dërgonte modeles 500 dollarë, ndërkohë që ajo ndodhej në New York. Paratë, sipas dosjes, ishte kërkuar të kalonin në llogarinë e mikut të saj, fotografit Klevin Halili.
Së fundmi, në kuadër të gjykimit për dosjen “Revanshi”, para trupit gjykues ka dëshmuar vetë Halili. Ai deklaroi se me Sejdinin ka një marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim profesional, duke shtuar se njihen prej kohësh dhe kanë udhëtuar disa herë së bashku.
Sipas dëshmisë së tij, në janar të vitit 2020 ai dhe modelja udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku qëndruan rreth një muaj në New York, fillimisht për pushime dhe për realizimin e disa seteve fotografike. Megjithatë, qëndrimi i tyre u zgjat për shkak të pandemisë së COVID-19. Gjatë kësaj periudhe, Sejdini mori një banesë me qira, ndërsa Halili qëndroi në shtëpinë e motrës së tij.
Fotografi theksoi se nuk kishte dëgjuar më parë për Leonard Dukën dhe mohoi të kishte qenë në dijeni të ndonjë lidhjeje mes tij dhe modeles.
“Trejsi Sejdinin e njoh, e kam shoqe dhe bashkëpunojmë profesionalisht. Në janar 2020 kam qenë në Amerikë me të. Qëllimi ishte të kalonim një muaj pushime në New York, por mbetëm më gjatë sepse na kapi pandemia. Trejsi mori një shtëpi me qira, ndërsa unë qëndrova te motra ime”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Halili shtoi se për lidhjen e përfolur mes modeles dhe Leonard Dukës kishte mësuar vetëm nga mediat. Ai tregoi gjithashtu se gjatë qëndrimit në SHBA, modelja merrte herë pas here para që i dërgoheshin nga Shqipëria përmes pikave të transfertave financiare.
Sipas Klevin Halilit, shumat që ai kishte tërhequr për llogari të Sejdinit varionin nga 600 deri në 1000 dollarë, duke sqaruar se këtë e kishte bërë si ndihmë për të, pasi modelja ishte e angazhuar me punë dhe sete fotografike.
Pjesë nga dëshmia e Klevin Halilit:
Nuk kam dëgjuar asnjëherë për Leonard Dukën. Trejsi Sejdinin e njoh, e kam shoqe dhe më lidh bashkëpunimi. Kemi shoqëri. Po kemi bërë pushime jashtë shteti. Në janar 2020 kam qenë në Amerikë me Trejsi Sejdinin. Kemi jetuar në New York. Qëllimi i udhëtimit ishte për qejf për 1 muaj për të vizituar Neë York. Ngecëm aty sepse na kapi Covidi, Trejsi u detyrua të merrte një shtëpi me qira atje, ndërsa unë kam jetuar te motra ime.
Jo nuk jam në dijeni se me çfarë të ardhurash ka jetuar Trejsi. Ajo ka qëndruar me mua kemi bërë sete fotografike. Kemi qëndruar në shtëpi kemi bërë jetesë asgjë me shumë. Na ka lidhur shoqëria e ngushtë dhe puna. Nuk kam pasur dijeni për lidhje sentimentale që ka pasur Trejsi në atë periudhë. Nuk kam dëgjuar të flasë për Leonard Dukën. Unë e kam marrë vesh nga mediat këtë gjë, ka qenë periudha kur isha në Amerikë. Trejsin nuk e kam pyetur, as ajo s’më ka pyetur për lidhjet që unë kam pasur.
Trejsi Sejdini ka pasur gjërat e veta, tërhiqte lekë në Amerikë nga pikat e transfertave. Lekët vinin nga Shqipëria. Në 4-5 raste kam tërhequr lekë për Trejsi Sejdinin. Ti paraqitesh me një kod, merr dërgesën dhe nuk me ka interesuar se kush i ka nisur. Trejsi nuk më ka treguar se kush ia niste lekët, kanë qenë familjarë dhe shoqëri.
Kanë dërguar lekë edhe ata. Në Amerikë kam të njohur. Nuk jam tip kurioz, që të interesohesha kush ia niste. Nuk e di nëse kanë qenë apo jo para krimi. Nga media mora vesh që kanë pasur një lidhje Trejsi dhe Leonard Dukën. Nuk jam takuar ndonjëherë Leonard Dukën, ai e ka suportuar disa herë ekonomikisht Trejsin kur ngeci në Amerikë. Nuk më kujtohet me sa para e ka ndihmuar. Programuam të rrinim 1 muaj e 1 javë. Unë do rrija te motra ime, ndërsa Trejsi mori një Airbnb. Shpenzimet e mia i ka paguar motra ime dhe njerëzit e saj, mami dhe babi im. 600-800$ kanë dërguar prindërit e mi herë pas here. 600-1000$ ishin shumat e parave qe unë kam tërhequr për llogari të Trejsit. Ja kryerja unë si shërbim sepse ajo kishte punë, kishte photoshooting, etj, ishin disa arsye.









