Samiti i mundshëm me Vladimir Putinin paraqitet për Donald Trump si sfida më e vështirë në politikën e jashtme që prej ardhjes së tij në Shtëpinë e Bardhë. Arsyeja është e qartë: lideri i Kremlinit është shfaqur si kundërshtari më i aftë dhe më i vendosur i Uashingtonit. Gjatë katër muajve të fundit, të dërguarit amerikanë i kanë propozuar Moskës disa plane marrëveshjeje, të shoqëruara me harta, që do t’i lejonin Rusisë të mbante nën kontroll pjesën më të madhe të territoreve të pushtuara ukrainase, por Kremlini i ka refuzuar sistematikisht, duke këmbëngulur në tre kërkesa thelbësore: çarmatimin e Kievit, mosanëtarësimin e tij në NATO dhe zëvendësimin e Volodymyr Zelenskyt me një lider më afër interesave ruse. Me fjalë të tjera, shndërrimin e Ukrainës në një shtet vasal të Putinit, të ngjashëm me Bjellorusinë.
Kjo qasje e Kremlinit e ka zemëruar thellësisht Trumpin, duke e afruar me qëndrimet e aleatëve evropianë, duke rifilluar furnizimin me armë kundërajrore për Kievin dhe duke ndërmarrë dy lëvizje agresive: dërgimin e një numri të pacaktuar nëndetësesh bërthamore “në rajonet e përshtatshme” dhe dyfishimin e tarifave doganore ndaj Indisë, për ta ndëshkuar për blerjen e naftës ruse.
Në rastin e parë, siç komenton ish-komandanti i forcave të NATO-s, admirali James Stavridis, “njoftimi në rrjetet sociale për lëvizjen e nëndetëseve bërthamore” përbën një presion strategjik të paprecedent ndaj Rusisë, pasi bëhet fjalë për armatimin më sekret dhe më ofenziv që ka në dispozicion Pentagoni. Në rastin e dytë, goditja ndaj eksportit të naftës ruse drejt Indisë, që vlerësohet në 52.7 miliardë dollarë në vit nga Brookings Institution, ka për qëllim të prekë burimin kryesor të të ardhurave të Kremlinit, që i mundësojnë Putinit të mbajë gjallë fushatën ushtarake në Ukrainë.
Nëse India është blerësi i dytë më i madh i naftës ruse, i pari është Kina, e ndjekur nga Turqia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Brazili. Përdorimi i tarifave për të dëmtuar eksportin e naftës ruse tregon qartë synimin e Trumpit për të shndërruar luftën tregtare globale në një armë politike për të forcuar rrethimin ekonomik ndaj Moskës. Kjo krijon një skenar presioni të dyfishtë ndaj Putinit, më shumë tarifa dhe më shumë nëndetëse bërthamore, për ta detyruar të shtojë shpenzimet ushtarake, në një kohë kur po i priten burimet strategjike ekonomike.
Kjo është një taktikë që pasqyron nevojën urgjente të Shtëpisë së Bardhë për të marrë lëshime nga Kremlini, duke i dhënë të kuptojë Putinit se koha nuk është më në anën e tij. Pikërisht për këtë, i dërguari amerikan Steve Witkoff zhvilloi një takim treorësh me liderin rus. Presioni i Trumpit është i përqendruar te vetë figura e “carit”. Dhe Putini duket se e ka kuptuar seriozitetin e përballjes, pasi, sipas burimeve diplomatike, para mbërritjes së Witkoff-it, ka telefonuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për t’u konsultuar për mënyrën më të mirë të menaxhimit të ofensivës së përshpejtuar diplomatike të Trumpit.
Mundësia e mbajtjes së një samiti në Emiratet e Bashkuara Arabe, me presidentin Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan si mikpritës, tregon se kanali i vendeve të Gjirit mbetet më i besueshmi për Moskën dhe Uashingtonin, ashtu siç ndodhi edhe me takimet e para SHBA-Rusi në Arabinë Saudite nën kujdesin e Mohammed bin Salmanit. Arsyeja është e thjeshtë: energjia është fusha ku Trump dhe Putin duan të rindërtojnë marrëdhënien, me kusht që të mbyllet konflikti në Ukrainë. Jo rastësisht, Witkoff në Kremlin pati edhe një takim të posaçëm me presidentin e fondit sovran rus, Kirill Dmitriev.
Por rruga drejt samitit të parë SHBA-Rusi që prej vitit 2021 është ende e gjatë dhe e vështirë. Këtë e dëshmojnë dallimet mes Uashingtonit dhe Moskës mbi mënyrën teknike të përfshirjes së Zelenskyt në një takim të mundshëm në Emirate: Putini kundërshton, pasi dëshiron ta largojë atë nga pushteti në Kiev, ndërsa Trump kërkon ta përfshijë, ndoshta i shtyrë edhe nga presioni i aleatëve evropianë.
Për më tepër, Trump dhe Putin janë liderë të paparashikueshëm, të prirur të përkulnin rregullat sipas interesave të momentit dhe të luajnë lojëra të rrezikshme. Prandaj, samiti në horizont paraqitet si produkt i presionit të Trump ndaj Putinit, por me rrezik real për tensione, përplasje apo ndonjë “shkëputje të rrymës” diplomatike.
Të dy udhëheqësit duan të dominojnë mbi tjetrin dhe asnjëri nuk mund të lejojë një dështim: presidenti amerikan ka nevojë për një sukses në Ukrainë për të përmbushur premtimet ndaj elektoratit, ndërsa kreu i Kremlinit kërkon të dalë “me kokën lart” nga një luftë që nuk po arrin ta fitojë.










