Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetin social Truth Social disa të dhëna tronditëse për humbjet njerëzore gjatë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës.
Në postimin e tij, Trump theksoi se shifrat për humbjet ushtarake nga të dyja palët janë alarmante.
“Sapo u informova se afro 20 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën vetëm gjatë këtij muaji në këtë luftë qesharake kundër Ukrainës,” shkroi Trump.
Ai shtoi se Rusia ka humbur gjithsej 112.500 ushtarë që nga fillimi i vitit, duke e cilësuar këtë si një numër të tmerrshëm vdekjesh, të cilat janë “plotësisht të panevojshme dhe të shmangshme”.
Duke folur për palën ukrainase, Trump theksoi se edhe Ukraina ka pësuar humbje të mëdha në fushën e betejës. “Ukraina, sidoqoftë, ka vuajtur rëndë. Ata kanë humbur rreth 8 mijë ushtarë që nga 1 janari 2025, dhe ky numër nuk përfshin ata që konsiderohen të zhdukur,” deklaroi 79-vjeçari.
Lideri amerikan shtoi se ndonëse humbjet civile janë më të vogla në krahasim me ato ushtarake, popullata civile ka qenë gjithashtu viktimë e këtij konflikti, për shkak të sulmeve të vazhdueshme me raketa nga forcat ruse, që kanë goditur Kievin dhe qytete të tjera ukrainase.








