Është një nga pyetjet më të zakonshme, dhe më personale, që lind në një lidhje: Sa shpesh duhet një çift të bëjë seks për të ruajtur lidhjen dhe afërsinë? Edhe pse përgjigjja duket se varet nga dëshira, mosha apo rutina e përditshme, shkenca thotë ndryshe.
Sipas një prej eksperteve më të njohura në fushën e shëndetit seksual, prof. Nicole McNichols, pedagoge e seksologjisë në Universitetin e Washington-it, ekziston një frekuncë ideale që shërben si “ekuilibër i ëmbël” për shumicën e çifteve. Dhe jo, nuk është aq shpesh sa mendojnë shumica.
McNichols, e cila udhëheq një nga kurset më të ndjekura në universitet, “Diversiteti i seksualitetit njerëzor”, ka analizuar modelet e kënaqësisë seksuale dhe jetëgjatësisë së marrëdhënieve në mijëra çifte, bazuar në ditare personale të humorit, shëndetit mendor dhe aktivitetit seksual.
Gjetjet janë të qarta: nuk është domosdoshmërisht një marrëdhënie e mirë që çon në seks më të mirë, por e kundërta. Rritja e kënaqësisë seksuale është ajo që sjell më shumë ndjeshmëri, afërsi dhe kënaqësi në çift.
“Kur përmirësohet mënyra si njerëzit ndihen për jetën e tyre seksuale, atëherë rritet edhe lumturia në lidhje”, tha McNichols në podcastin e njohur Modern Love të New York Times.
Nëse ndihesh fajtor pse nuk ke kohë për seks çdo ditë, ke lajme të mira: shkenca sugjeron se një herë në javë është mjaftueshëm për shumicën e çifteve për të ruajtur kënaqësinë dhe afërsinë emocionale.
“Pas këtij ritmi, përfitimet në marrëdhënie nuk rriten ndjeshëm”, thotë McNichols. Natyrisht, nëse një çift dëshiron dhe ka mundësi për më shumë, nuk ka asgjë të keqe, por nuk përkthehet domosdoshmërisht në më shumë kënaqësi afatgjatë.
Pra, nuk ka nevojë për presion apo krahasim me të tjerët. Më e rëndësishme është cilësia dhe ndjeshmëria, jo thjesht frekuenca.










