Ndezja e kondicionerit gjatë gjithë ditës apo natës është bërë një shqetësim për të gjithë ne,pasi ka kostot e veta. Por si mund ta dimë se çfarë po konsumojmë dhe si mund ta zvogëlojmë atë?
Sipas ADSL Zone, një faqe interneti specifike për teknologjinë, ekzistojnë disa të dhëna specifike që na tregojnë saktësisht se çfarë konsumojmë: fuqia e modelit dhe çmimi për kilovat-orë (kWh) i çmimit konvencional të energjisë elektrike.
Duke i ditur këto dy gjëra, ne mund të llogarisim lehtësisht dhe shpejt se sa do të kushtojë kondicioneri ndërsa flemë.
Siç thuhet në faqen e internetit, njësitë e kondicionimit të ajrit ndryshojnë dhe nuk konsumojnë të njëjtën sasi energjie.
Kostoja përfundimtare ndikohet ndjeshëm nga efikasiteti i energjisë, kapaciteti i ftohjes, fuqia e njësisë, izolimi i shtëpisë, vendndodhja e sistemit dhe temperatura e zgjedhur.
Për të llogaritur dhe vizualizuar konsumin e saktë, ADSL Zone përdor një rast specifik – një pajisje me 3,000 njësi ftohëse të ndezura për tetë orë rresht. Ky model konsumon një kilovat në orë (1 kWh), kështu që nëse e shumëzojmë këtë me 8 orë funksionim, marrim 8 kWh .
Nëse, për shembull, çmimi aktual në Shqipëri është 8.5 lekë për kWh, kostoja për një natë është 68 lekë. Nëse duam të dimë se sa konsumojmë në muaj, mjafton të llogarisim netët e përdorimit.
Këshilla për kursimin e energjisë
Kondicioneri njihet si një nga pajisjet me konsumin më të lartë të energjisë elektrike në shtëpi, prandaj ADSL Zone jep disa këshilla për optimizimin e përdorimit të tij dhe uljen e faturave tona.
Sugjeron zgjedhjen e modeleve me një kapacitet më të ulët ftohjeje në orë , si dhe pajisjeve me një vlerësim më të lartë të energjisë. Pajisjet me një vlerësim A+++ ofrojnë një ulje të konsumit deri në 40%.
Lidhur me temperaturën, faqja e internetit sugjeron zgjedhjen e një temperature të moderuar, p.sh. 28 gradë Celsius, në vend të 22 gradëve. Për çdo shkallë uljeje të temperaturës, konsumi rritet me afërsisht 8%.
Përveç kësaj, mund ta ndezim kondicionerin para se të shkojmë në shtrat për të ruajtur një temperaturë të rehatshme në dhomë, në mënyrë që të mos na duhet ta mbajmë ndezur gjatë natës.
Së fundmi, izolimi i dyerve dhe dritareve është gjithashtu thelbësor, ashtu si edhe konfigurimi i pajisjes, gjendja e shtëpisë dhe zakonet e përdorimit.






