Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka intensifikuar deklaratat për atë që e cilëson si “kërcënimin më të madh të sigurisë” për vendin, duke iu referuar aleancës ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Pas takimeve me zyrtarë evropianë, ai ka pohuar se kjo aleancë është krijuar me qëllim sulmin ndaj Serbisë.
Duke folur më 13 shkurt në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Vuçiç deklaroi para gazetarëve: “E kam ngritur çështjen e aleancës ushtarake mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës, pres përgjigje… ndoshta do ta marr atë përgjigje para se të kalojnë në veprim.” Ai theksoi se pret një veprim konkret të kësaj aleance ndaj Serbisë.
Edhe gjatë ceremonisë së ndarjes së dekoratave për Ditën e Shtetësisë, presidenti serb deklaroi se “aleancat që po krijohen kundër nesh shërbejnë për të përgatitur një fushë të unifikuar veprimi në një ‘front lindor’, ku Serbia shihet si ‘guri në këpucë’”. Sipas tij, këto aleanca synojnë që “nga drejtime të ndryshme të sulmojnë Serbinë në momentin kur shpërthen një luftë më e madhe se kjo e sotmja”.
Megjithatë, deklaratat e tij kanë hasur në reagime të forta nga opozita serbe.
Radomir Lazoviç, bashkëkryetar i Frontit të Gjelbër të Majtë, deklaroi për gazetën Danas se bëhet fjalë për një taktikë të njohur politike. “Kjo është metoda e provuar e Vuçiçit për të krijuar armiq nga vendet fqinje, në mënyrë që ai dhe SNS të paraqiten si shpëtimtarë të Serbisë”, tha ai. Sipas Lazoviçit, interesi i Serbisë është zhvillimi i marrëdhënieve të mira, thellimi i bashkëpunimit dhe rritja e shkëmbimeve tregtare e kulturore. “Nga konfliktet përfiton vetëm Vuçiçi”, shtoi ai, duke e akuzuar presidentin se synon të frikësojë elektoratin dhe të konsolidojë bazën e tij pas rënies së mbështetjes.
Kritik edhe më i drejtpërdrejtë ishte Srđan Milivojeviç, kryetar i Partisë Demokratike. Ai deklaroi se “nuk ka armik të jashtëm që mund t’i bëjë Serbisë aq dëm sa Aleksandar Vuçiç”. Sipas tij, sa kohë që Vuçiç drejton vendin, shtetet që supozohet se kanë synime sulmuese “mund ta dërgojnë ushtrinë e tyre me pushime”. Milivojeviç argumentoi se retorika e rrezikut të jashtëm shërben për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme dhe për të justifikuar rritjen e shpenzimeve ushtarake.
Në të njëjtën linjë, Janko Veselinoviç nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë deklaroi se qytetarët në rajon do të përfitonin më shumë nga investimet në infrastrukturë dhe standard jetese sesa nga armatimet. “Po flasim për qeveri që nuk kujdesen për nevojat e qytetarëve, por blejnë armë, gjë që në këtë rajon nuk ka sjellë kurrë stabilitet”, tha ai.
Ndërsa Pavle Grboviç, kryetar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, e lidhi situatën me orientimin strategjik të Serbisë. Sipas tij, aleanca në fjalë “nuk ka të bëjë me ndonjë plan për sulm ndaj Serbisë, por me ambicien e Prishtinës – dhe jo vetëm të saj – për integrim në NATO”. Ai e cilësoi politikën e “neutralitetit” të Serbisë si izolim nga proceset kryesore evropiane dhe shtoi se mungesa e vendimeve të qarta strategjike po zëvendësohet me “frikësim të qytetarëve”.
Ndërkohë, Vuçiç ka njoftuar rritje të investimeve në mbrojtje dhe në industrinë vendase të armatimit, duke theksuar se Serbia do të blejë një pjesë më të madhe të prodhimit të saj ushtarak.
Debati për sigurinë dhe orientimin gjeopolitik të Serbisë po thellohet, ndërsa përplasjet mes presidentit dhe opozitës tregojnë për tensione të forta në skenën e brendshme politike.










