Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, ka komentuar zhvillimet politike në vend gjatë një konference për media, duke vënë në pah se aleanca veri-atlantike po e ndjek me vëmendje procesin zgjedhor.
Pyetja u fokusua në ndikimin që mund të kenë zgjedhjet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.
Rute u shpreh se, ndonëse rezultatet e zgjedhjeve janë ende preliminare dhe nuk ka pasur ende rezultate përfundimtare, nga këto rezultatet duket se do të formohet një koalicion qeverisës.
Ai shtoi se NATO do të punojë me çdo qeveri që formohet, duke përmendur potencuar rëndësinë e krijimit të një qeverie stabile dhe të qëndrueshme në vend.
“Natyrisht se e ndjekim se çka po ndodh në Kosovë. Është një proces demokratik. Janë ende rezultate preliminare, deri më sot nuk ka rezultate përfundimtare të zgjedhjeve. Bazuar në rezultatet preliminare duket se do të ketë një koalicion qeverisës. Ne do të punojmë me këdo që qeverisë me vendin. I urojmë suksese politikanëve kosovarë të sigurojnë që të jetë një qeveri stabile”, ka thënë Rute.
Në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se janë numëruar mbi 99 për qind të votave, ndërsa ende mbeten 11 vendvotime nga gjithsej 2533 pa u përfunduar procesimi. Deri tani, nga 2522 vendvotime të procesuar, Lëvizja Vetëvendosje është duke udhëhequr me 40.86 për qind të votave, ose 340 mijë e 541 vota. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës, me 22.04 për qind të votave, që përkthehen në 183 mijë e 661 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e treta, me 17.62 për qind dhe gjithsej 146 mijë e 815 vota. Koalicioni AAK-Nisma, konservatorët dhe intelektualët, ka siguruar 7.45 për qind të votave.






