Rusia ka vendosur rreth 110 mijë trupa pranë qytetit strategjik të Pokrovskut në lindje të Ukrainës, në një përpjekje të vazhdueshme për të marrë kontrollin e tij, njoftoi të premten shefi i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi.
Sipas tij, rajoni përreth Pokrovskut është aktualisht “vendi më i nxehtë” përgjatë vijës së frontit që shtrihet në një gjatësi prej 1,200 kilometrash. Forcat ruse po tentojnë të pushtojnë qytetin që prej afro një viti, duke ndërmarrë ofensiva të përsëritura dhe të ashpra, por pa sukses të plotë.
Pokrovsku ka rëndësi strategjike për Moskën, pasi ndodhet në një rrjet të rëndësishëm rrugor dhe hekurudhor që e lidh me qendrat tjera ushtarake si Kramatorsk, Sloviansk dhe Kostiantynivka – zona që ende mbrohen nga Ukraina në rajonin e Donetskut.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se synon të pushtojë plotësisht rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, të cilat aktualisht janë pjesërisht nën kontrollin rus.
Ndërkohë, Kievi dhe aleatët perëndimorë e akuzojnë Putinin për pengimin e bisedimeve të paqes me qëllim të zgjatjes së luftës dhe përvetësimit të më shumë territori ukrainas.