Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka reaguar ndaj kërkesave të prokurorisë për dënime të ashpra ndaj udhëheqësve të UÇK-së, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht dhe të ndikuara nga struktura armiqësore.
Në një reagim publik, Mustafa thekson se roli i UÇK-së në mbrojtjen e popullit shqiptar dhe në procesin e çlirimit të Kosovës është i padiskutueshëm. Sipas tij, veprimet dhe akuzat që drejtohen ndaj ish-udhëheqësve të kësaj ushtrie nuk mund të ndahen nga konteksti historik dhe sakrifica e bërë gjatë luftës.
Postimi i plotë:
UÇK-ja – mbrojti kombin
Kërkesat e prokurorisë për dënime ekstreme ndaj udhëheqësve të UÇK-së janë politike dhe të ndikuara nga shërbimet armiqësore, kjo kuptohet. UDB-ja dihet çfarë është dhe çfarë bën.
Por shqiptarët që sot sulmojnë Hashim Thaçin dhe bashkëluftëtarët e tij, analistë e opinionistë që dalin kundër UÇK-së, nuk janë keqkuptim.
Janë zgjedhje.
Dhe çdo zgjedhje ka llogari për të dhënë:
para kombit, para familjes dhe para (fëmijëve të tyre) brezave që vijnë.
UÇK-ja përfaqëson luftën çlirimtare të një populli të tërë.
Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij janë pjesë e historisë sonë kolektive dhe e sakrificës kombëtare.
Çdo qëndrim publik kundër tyre është qëndrim kundër lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
Dhe çdo qëndrim i tillë mbart përgjegjësi morale, historike dhe kombëtare.








