Bashkimi Evropian i ka dërguar një sinjal të qartë dhe të drejtpërdrejtë Athinës zyrtare lidhur me të ardhmen evropiane të Shqipërisë, duke ia lënë pikërisht Greqisë në dorë vulën për mbylljen e negociatave të anëtarësimit në vitin 2027.
Gjatë një takimi të rëndësishëm në Athinë, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, u takua me ministrat evropianë të Grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ku morën pjesë edhe kryediplomatët e vendeve kandidate.
Për ironi të fatit, Greqia – shteti që në të kaluarën ka bllokuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt unionit – do të mbajë Presidencën e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, periudhë kjo vendimtare kur Tirana pritet të mbyllë negociatat, ndërsa Mali i Zi të marrë traktatin e anëtarësimit. Pikërisht për këtë arsye, Komisionerja Kos i bëri apel publik Athinës që të punojë pa u lodhur për këtë proces.
“Jam shumë e lumtur që po takohemi këtu në Athinë, Greqi, dhe shpresoj që Presidenca e Greqisë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm të punojë fort, pa u lodhur, për procesin e zgjerimit”, u shpreh Kos.
Mesazhi nga Brukseli për palën greke ishte i prerë: koha e bllokadave dhe refuzimeve ka përfunduar, sepse Bashkimi Evropian tashmë ka thënë “PO” për zgjerimin.
“Kemi shanse të mira për të arritur rezultate me negociatat, tani që zgjerimi është sërish prioritet kryesor i gjithë BE-së. Po jetojmë në kohëra sfiduese gjeopolitike dhe është koha që ne të arrijmë rezultate. Ndaj kemi publikuar komunikatën e gatishmërisë së BE-së për zgjerimin dhe përgjigjja është PO – BE-ja është gati për zgjerimin e ri. Shpresoj që BE-ja të jetë më e fortë”, deklaroi komisionerja.
Duke u ndalur te progresi konkret, Kos e vlerësoi Shqipërinë dhe Malin e Zi si shembuj inkurajues për të gjitha vendet e tjera aspirante.
“Pas 23 vitesh nga Selaniku, ne po arrijmë rezultate. Në grupin e katër pretendentëve kemi dy vende nga Ballkani Perëndimor, Shqipërinë dhe Malin e Zi, dhe shpresoj që këto të inkurajojnë edhe të tjerët për të arritur rezultate”, shtoi ajo.
Ndërkohë, në margjinat e këtij takimi në kryeqytetin grek, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim bilateral me homologun e tij grek, Giorgos Gerapetritis. Sipas deklarimeve pas takimit, pala shqiptare ka marrë mbështetjen e Athinës zyrtare për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen evropiane.









