- Ese përshkruese – Rrugëtimi i gazetares Anila Sulaj Ahmataj
Ka njerëz që e nisin jetën thjeshtë, në heshtje, si një fije bari që çan tokën e fortë për të parë lavdinë . Ka të tjerë që rriten si një këngë e vjetër e Labe, krenare, e ngrohtë. Anila Sulaj Ahmataj është nga ata njerëz që mbartin me vete të dyja: thjeshtësinë e fillesave dhe fuqinë e zërit që jehonë.
Ajo erdhi nga “Gjoneci”, nga ai cep i Labërisë ku jeta nuk të fal shumë, por të dhuron diçka më të vlefshme se pasuria: karakterin dhe etjen për dije. Nuk trashëgoi prona, vila apo pasuri materiale. Trashëgoi dashurinë për punën, për librin, për njerëzit dhe një krenari të heshtur që e ndjek si hije e mirë. Ishte vajza “çamarroke”që fluturonte mbi gurët e Bratit, duke sfiduar pengesat me një buzëqeshje që s’e trembte as mundimi, as e panjohura.
Anila filloi thjeshtë, pa pretendime, pa kërkesa ndaj botës. E nisi rrugën e saj drejt mediave kombëtare me duar bosh, por me një shpirt plot ëndrra. Stacioni i parë nuk ishte studioja televizive, por dashuria për mësimin, për të kuptuar jetën dhe njerëzit. Ajo nuk e pranoi profesionin e parë si pikë mbërritjeje, sepse brenda saj digjej një zë që i kërkonte më shumë, që e shtynte të dilte përtej murit të zakonshmërisë.
Gazetaria erdhi natyrshëm, si një thirrje e brendshme. Ajo nuk e zgjodhi vetëm si profesion; e zgjodhi si mënyrë të të qenit. Me kohën u bë producente në News24, duke u rritur hap pas hapi, si një bredh i Bratit që ngrihet i qetë, por i patundur, përballë erërave të jetës. Në punë gjithmonë kërkonte më shumë—më shumë sakrifica, më shumë përpikëri, më shumë e vërtetë. Elokuenca e saj u bë arma më e fortë: fjalët i burojnë të pastra, të kujdesshme, si shushurima e ujit të kaltër të Shushicës.
Në çdo hap të karrierës, ajo e ka ruajtur brenda vetes fëmijën që dikur vraponte mes gurëve të Bratit, atë vajzën e lirshme që e mësoi veten të mos dorëzohej. Erdhi nga një familje e thjeshtë, por me shpirt të madh. Në gjakun e saj jeton Labëria—me burrërinë, këngën dhe krenarinë e saj të pashuar.
Sot, Anila ecën hijerëndë në botën e mediave, jo nga pesha e pushtetit, por nga pesha e përkushtimit dhe përgjegjësisë. Rrugëtimi i saj është shembull i asaj se suksesi nuk lind nga fati, por nga vullneti, nga karakteri, nga e vërteta që mbart njeriu brenda vetes. Ajo është dëshmi se nuk është vetëm vendlindja ajo që e përcakton madhështinë, por mënyra se si e mban atë brenda vetes. Dhe Anila e mban Bratin e Labërinë në zemër, në zë, në punën e saj—kudo ku shkon.
Kjo është historia e një vajze që erdhi “pothuajse nga hiç”, por u bë dikushi. Jo sepse kërkoi lavdi, por sepse kërkoi të ishte e dobishme, e drejtë, e sinqertë. Historia e një gruaje që rritet ende, njësoj si ato lisat e Bratit që që sa më shumë rriten, aq më fort mbërthehen pas tokës që i lindi.
Autor Leonard Malaj






