Rritje e tensioneve në veri/ Eksperti i sigurisë paralajmëron rrezik të lartë për destabilizim

Gjatë muajit maj, Aleksandër Arsenijeviç, udhëheqësi i partisë “Demokracia Serbe”, kishte propozuar krijimin e një nisme të re të quajtur “Roja e Lagjes” – një strukturë që pretendon të angazhohet në ruajtjen e rendit lokal në zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kjo nismë ka ngjallur reagime të menjëhershme, jo vetëm për përmbajtjen e saj, por edhe për rrethanat që e shoqëruan.

Disa javë pas këtij propozimi, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Arsenijeviç është i lidhur me një rast të rëndë të gjetjes së armatimit në veri. Në një deklaratë publikuar në Facebook, Sveçla shkruan:

“Njësitet relevante të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me AKI dhe prokurorinë, me monitorim nga KFOR dhe EULEX, kanë realizuar një bastisje në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku janë gjetur raketahedhës dore (zolla), granata dore, tromblonë, armë dhe municion i llojeve të ndryshme. Një arsenal i tërë i mjaftueshëm për një njësit terrorist. Sipas informacioneve që kam pranuar, armatimi i rëndë është gjetur në një objekt që i përket politikanit Aleksandar Arsenijeviç.”

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në prononcim ka dhënë vlerësime të forta për rrezikun që paraqesin nismat e individëve të dyshimtë dhe përpjekjet e Serbisë për destabilizim të qëllimshëm.

Eksperti Elezi theksoi me shqetësim krijimin e një strukture të ashtuquajtur “roja e lagjës”, e promovuar nga një politikan serb në veri.

“Është e vërtetë që ne kemi zhvilluar së bashku një bashkëbisedim në lidhje me thirrjen e një politikanit të progresit, siç e ka quajtur, vetëm për krijimin e një nisme të quajtur ‘roja lagjës’, një veprim që bie në kundërshtim me organizimin e strukturave të sigurisë në Kosovë”, ka deklaruar Elezi.

Ai kujtoi se sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës, vetëm Policia e Kosovës ka të drejtë të organizojë çështje që lidhen me rendin publik dhe sigurinë.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet të organizohen aktivitete që bien në kundërshtim me kodin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Duke folur për figurën e politikanit në fjalë, Elezi ngriti dyshime të forta për lidhjet e tij me rrjete të rrezikshme kriminale dhe me strukturat e sigurisë serbe.

“Në rastin konkret, kam thënë dhe vazhdoj të citoj se Asmiviq, një politikan i cili së fundmi është i dyshuar edhe për posedim të armëve luftarake si dhe për çasjen në përgatitje të aktiviteteve eventuale të dhunshme, është një person i lidhur ngushtë me strukturat e sigurisë në Serbi dhe me Radoiçiqin, por është munduar i njëjti që ta mbajë të fshehtë lidhjen reale me të”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Sipas tij, në pronën e këtij politikani, Policia e Kosovës ka gjetur sasi të konsiderueshme armësh, një sinjal serioz për rrezikun që i kanoset sigurisë.

Për manifestimin e Vidovdanit më 28 qershor, Elezi tha se ndalesa nga ana e gjykatës ka për qëllim mbrojtjen e rendit, por rreziku mbetet i lartë.

“Ne kemi jashtëzakonisht shqetësime në lidhje me situatën e sigurisë ditëve të fundit. Këtë e mbështesim: E para me arsyen se më 28 qershor, do të mbahet manifestimi i Vidovdanit, një festë serbe e organizuar edhe në të kaluarën, e cila në rastin konkret është më ndryshe sepse është ndaluar me vendim të Gjykatës së Kosovës, me çka mund të prodhojë situatë jo të mirë të sigurisë”, theksoi Elezi.

Ai paralajmëroi se Policia e Kosovës është e detyruar të zbatojë vendimin për ndalimin e aktivitetit, ndërsa në anën tjetër ekziston rreziku i përballjeve fizike dhe incidenteve të tjera.

“Veçanërisht nëse serbët tentojnë të shkojnë në Gazimestan, të cilët mund të jenë të orkestruar, të mbështetur dhe të trajnuar e koordinuar nga Beogradi zyrtar”, shtoi ai.

Elezi beson se lëvizjet destabilizuese nuk janë të rastësishme, por të mirëplanifikuara nga Serbia, për të tërhequr vëmendjen nga zhvillimet e brendshme në Beograd dhe për të krijuar krizë të re në rajon.

“Krejt kjo me qëllim që të konsiderohet se situata e sigurisë ka agravuar dhe se duhet të ndërmerren veprime konkrete”, tha ai.

Sipas tij, edhe presidenti Trump e ka përmendur Kosovën dhe Serbinë, çka nënkupton njohjen e situatës delikate nga ana e ndërkombëtarëve.

“Kosova mund të jetë objekt i goditjes së sërishme sa i përket organizimit të aktiviteteve të rrezikshme që mund ta cenojnë sigurinë”, paralajmëroi Elezi.

Eksperti nuk la pa përmendur përpjekjet për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri, dhe rezistencën e vazhdueshme që po hasin institucionet vendore.

“Pa dyshim që ka rrezik serioz, sidomos derisa të kalojnë festat serbe që do të organizohen këto ditë në Kosovë. Njëkohësisht do të kemi një qasje të strukturave ndërkombëtare sa i përket përpjekjeve të institucioneve të Republikës së Kosovës për të shtrirë sovranitetin në veri të vendit”, u shpreh ai.

Për çështjen e urës që lidh pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës, ai vuri në dukje se ekzistojnë lëvizje të qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar për vlerësimin teknik dhe vendimmarrje për funksionalizimin e saj.

Në përmbyllje, Bedri Elezi bëri thirrje për rritje të vigjilencës institucionale dhe angazhim të fuqishëm të të gjitha strukturave të sigurisë.

“Kosova mbetet e ekspozuar ndaj një situate jo të sigurt, për shkak të festave që do të mbahen, për shkak të gatishmërisë dhe interesimit të Serbisë për të organizuar veprime që bien ndesh me ligjet e Kosovës dhe angazhimet ndërkombëtare dhe lokale”, tha ai.

“Prandaj një angazhim i nevojshëm i forcave të sigurisë së Kosovës, sidomos i atyre të inteligjencës, është i domosdoshëm. Duhet të rritet vigjilenca nga inteligjenca dhe nga Policia e Kosovës, përfshirë edhe forcat e NATO-s apo ato ndërkombëtare, që në kohë reale të kemi informacione në rast se Serbia tenton të eskalojë situatën” përfundoi Elezi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit