Një avion luftarak amerikan i tipit F-15E u rrëzua mbi territorin e Iranit ditën e djeshme, duke shënuar një nga humbjet më të mëdha të SHBA-së brenda vendit që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt.
Avioni kishte në bord dy persona, një pilot dhe një oficer armësh. Sipas raportimeve nga mediat amerikane, njëri prej tyre është shpëtuar nga forcat speciale amerikane, ndërsa kërkimet për personin e dytë vijojnë.
Ndërkohë, një kanal televiziv iranian ka njoftuar se është vendosur një shpërblim prej 60,000 dollarësh për qytetarët që arrijnë të kapin pilotin amerikan të zhdukur dhe ta dorëzojnë atë tek autoritetet policore ose ushtarake.
Në një deklaratë drejtuar banorëve të provincave Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad thuhet:
“Forcat ushtarake kanë nisur një operacion kërkimi për pilotin amerikan të rrëzuar më herët sot. Të dashur qytetarë, nëse e kapni pilotin armik të gjallë dhe e dorëzoni tek policia apo forcat ushtarake, do të shpërbleheni me 60 mijë dollarë”, thuhej në reagim.
Sipas burimeve amerikane, foto dhe video të publikuara në rrjetet sociale dhe në mediat iraniane tregojnë helikopterë dhe avionë të tjerë amerikanë që fluturojnë në lartësi të ulët mbi zonën e rrëzimit, në kuadër të operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Kjo ishte hera e parë që nga fillimi i luftës që avionë amerikanë shkatërrohen nga zjarri armik. Dy avionë të tjerë F-15 janë goditur nga zjarri miqësor, ashtu si edhe një avion cisternë KC-135 Stratotanker, i cili u rrëzua në Irak me 6 anëtarë ekuipazhi, të cilët përfunduan të vdekur.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump shprehet se “me pak më shumë kohë, mund ta marrim lehtësisht nën kontroll Ngushticën e Hormuzit, të sigurojmë naftën dhe të nxjerrim fitime të mëdha”.
Sot sulmet amerikano-izraelite në urën B1 në qytetin Karaj në perëndim të Teheranit shkaktuan vdekjen e 8 personave dhe rreth 95 të tjerë mbetën të plagosur. Ura ishte në ndërtim e sipër dhe më e gjata në Lindjen e Mesme dhe ishte planifikuar të shërbente si rrugë furnizimi ushtarak që synonte të mbështeste raketat balistike dhe aftësitë e dronëve sulmues të Iranit.
Trump vijon me thirrjen për Iranin për të arritur një marrëveshje armëpushimi përpara se të jetë shumë vonë për ta. “Është koha që Irani të bëjë një marrëveshje para se të jetë tepër vonë dhe të mos mbetet asgjë nga ajo që mund të bëhet një vend i madh”, shkoi Trump në rrjete sociale.
Pas shkatërrimit të urës, Trump paralajmëron për sulme në termocentrale.
“Ushtria jonë, më e madhja dhe më e fuqishmja (deri tani!) në botë, as nuk ka filluar shkatërrimin e asaj që ka mbetur nga Irani. Urat janë të radhës, pastaj termocentralet! Udhëheqja e Regjimit të Ri e di se çfarë duhet bërë, dhe duhet bërë shpejt!”, shkroi Trump.
Ushtria izraelite njoftoi eliminimin e Makram Atimi, komandant i Njësisë së Raketave Balistike në zonën e Kermanshah në Iranin perëndimor, përgjegjës për lëshimet në Izrael.









