Disa vende evropiane kanë rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe në Mesdheun lindor. Lëvizjet përfshijnë avionë luftarakë, anije dhe mbështetje logjistike për operacionet e aleatëve në rajon.
Mbretëria e Bashkuar vendosi të dërgojë katër avionë shtesë “Typhoon” në Katar. Kryeministri Keir Starmer njoftoi se këta avionë do t’i bashkohen një skuadriljeje ekzistuese në vendin e Gjirit për të forcuar operacionet mbrojtëse. Katari konsiderohet një partner i rëndësishëm energjetik për Londrën.
Franca vuri në dispozicion të forcave ajrore amerikane bazat e saj në Lindjen e Mesme. Shtabi i Përgjithshëm francez deklaroi se avionët amerikanë nuk do t’i përdorin këto baza për sulme kundër Iranit.
Parisi vendosi gjithashtu në Mesdheun lindor aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”. Anija transporton rreth 20 avionë “Rafale” dhe dy sisteme paralajmëruese “E-2C Hawkeye”, të cilat monitorojnë hapësirën ajrore dhe sinjalizojnë rreziqe të mundshme.
Aeroplanmbajtësja ka peshë rreth 42 mijë e 500 ton, gjatësi 261 metra dhe përdor dy reaktorë bërthamorë të tipit K15.
Italia dhe Spanja njoftuan se do të dërgojnë mjete detare për të forcuar mbrojtjen e Qipros, pasi një dron iranian goditi bazën britanike “Akrotiri”. Ministritë e Mbrojtjes të dy vendeve konfirmuan vendimin gjatë së enjtes.
Italia planifikon gjithashtu të ofrojë mbështetje për mbrojtjen ajrore të vendeve të Gjirit që janë përballur me sulme hakmarrëse nga Irani.
Në rajon janë regjistruar edhe masa të tjera sigurie. Libani ka ndaluar aktivitetet e pjesëtarëve të Gardës Revolucionare Iraniane, ndërsa Azerbajxhani ka vendosur forcat e armatosura në gatishmëri të plotë pas sulmeve me dronë.









