Afro 40 persona kanë humbur jetën e 115 janë lënduar pasi një zjarr shpërtheu në një bar në resortin alpin Crans-Montana në Zvicër në orët e hershme të së enjtes. Zjarri shpërtheu rreth orës 2 pas mesnatës, raporton “BBC”.
Komandanti i Policisë kantonale të Valaisit, Frederic Gisler, ka treguar se disa prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë.
“Rreth 40 persona kanë vdekur dhe të paktën 115 janë lënduar, shumë prej tyre rëndë”, ka thënë Gisler në konferencë për media.
Ai tha se prioritet gjatë ditëve në vijim është identifikimi i viktimave në mënyrë “që trupat e tyre të kthehen sa më shpejt” te familjet e tyre.
Ai tha se pret disa shtetas të huaj të jenë në mesin e viktimave.
E prokurorja e përgjithshme Beatrice Pilloud, ka thënë se janë “disa hipoteza” për shkaqet e zjarrit. Ajo tha se janë intervistuar shumë dëshmitarë dhe do të analizohen telefonat që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Ajo tha se s’ka të arrestuar apo të dyshuar dhe se nuk ishte “akt i qëllimshëm”.
Institutit të Forenzikës në Cyrih i është dhënë mandati për të kryer hetimet e për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, tha ajo.
Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, e ka quajtur ngjarjen e të enjtes si “një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar Zvicra”.
Parmelin ka falënderuar vendet që kanë ofruar mbështetje pas zjarrit, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Ai tha se po vendosen komunikime përmes ministrive të jashtme me familjet e viktimave të huaja.
Parmelin ka thënë se flamujt e Zvicrës do të ulen në gjysmë shtizë për pesë ditë, pas tragjedisë së rëndë.








