Bashkëluftëtari i Agim Ramadanit dhe Sali Çekajt, Arif Maloku, në një rrëfim ekskluziv për Gazetën Kosova tregon pothuajse të gjithë historinë e luftës së UÇK-së në zonën ku ai ishte pjesëmarrës.
Luftëtari i UÇK-së e nis rrëfimin e tij duke treguar për vitet e ’90-ta, kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia dhe ushtronte dhunë brutale, si dhe për persekutimet që i kryheshin popullit shqiptar. Ai thotë se nuk i mbeti rrugë tjetër, përveç çlirimit të vendit me luftë.
“Me fillimin e formimit të UÇK-së, edhe pse isha në moshë të re, vendosa t’u bashkëngjitem grupeve të armatosura të UÇK-së, ku në fshatin Gjocaj, me bashkëfshatarët e mi, filluam të mobilizohemi dhe të armatosemi me qëllim që ta mbrojmë vendin tonë, me një rezistencë të armatosur”, thotë ai për GazetaKosova.net
Maloku shprehet se i tërë ky organizim ka filluar gjatë muajit prill ’98, pas rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.
“Ne ishim të organizuar për mbrojtjen e fshatit Gjocaj, ku më pas, me futjen e brigadave të para të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë muajit qershor ’98 në Jasiq, ka arritur Brigada 131. Një pjesë e tyre janë pozicionuar në Jasiq, dhe me të kuptuar se në mesin e tyre gjendeshin edhe eprorë ushtarakë të profesionit, ne kemi marrë vendim t’u bashkëngjitemi dhe t’i njohim për komandantë Rrustem Berishën dhe Agim Ramadanin me shokë”, shprehet luftëtari.
Takimi i parë i zhvilluar me Agim Ramadanin dhe Rrustem Berishën ishte në fshatin Jasiq. Sipas tij, ai ishte një takim sa vëllazëror, aq edhe i hapur, ku janë prezantuar me emër dhe mbiemër të gjithë luftëtarët, si dhe prej nga vinin, duke prezantuar edhe qëllimin e tyre të përbashkët.
“Me prezantimin e planit operativ për zhvillimin e një lufte të mirëfilltë për t’i dalë në ndihmë popullit tonë për çlirimin e atdheut, u vërejt një dakordim dhe një gatishmëri në mesin tonë. Agimi ishte i gatshëm që kushdo të ishte udhëheqës apo komandant, vetëm që punët të shkonin si duhet. Mirëpo, duke pasur parasysh se Agimi dhe Rrustemi ishin njerëz të profesionit ushtarak, ne u dakorduam që të sistemohemi nën komandën e Rrustem Berishës”, tregon ai.
Ai thotë se, në ditët e para, Agimi me shokët i kanë udhëzuar për hapat që duhej të ndërmerrnin për mbrojtjen e fshatrave Gjocaj dhe Jasiq, si dhe kanë kërkuar nga ta që të formonin njësitin “KOBRA”, me qëllim të vëzhgimit të terrenit, duke përfshirë edhe brezin kufitar. Sipas tij, vëzhgimet kishin për qëllim grumbullimin e informacioneve të përditshme për lëvizjet e ushtrisë serbe, si dhe organizimin dhe sigurimin e korridorit për hyrjen e njësive apo grupeve të UÇK-së nga territori shqiptar në brendësi të Kosovës dhe anasjelltas.
“Njësiti ‘KOBRA’ ka marrë pjesë në shumë aksione sulmuese ndaj forcave serbe gjatë muajve qershor–korrik ’98, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit, ku kemi vrarë dhjetëra ushtarë serbë dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur. Kurse nga ana jonë kanë rënë 3 dëshmorë dhe dy të tjerë mbetën të plagosur, së bashku me mua. Edhe pse isha i plagosur nga një granatë dore serbe në krahun e majtë dhe në pjesën e qafës, posa kam marrë ndihmën e parë, kam vazhduar luftimet me shokët”, shprehet ai.
Ai thotë se, para luftimeve në Zharrë, në Gjocaj ka arritur me njësitin e vet Bedri Shala si përforcim.
“Me ne ka mbetur një skuadër, ndërsa vetë ka shkuar në Junik, pasi kishte shenja se serbët po përgatiteshin ta sulmonin Junikun dhe fshatrat ku gjendeshim ne, çka edhe ndodhi. U sulmua fshati Junik dhe luftimet zgjatën më shumë se një javë, ku edhe njësiti ynë ka marrë pjesë në ato luftime të fuqishme. Për fat të mirë, me një organizim, disiplinë dhe komandim të mirëfilltë, kemi arritur t’i përballojmë luftimet dhe popullatën civile ta evakuojmë nga fshati. Gjatë këtyre luftimeve kemi kuptuar se ka rënë dëshmor edhe Bekim Berisha – ‘ABEJA’. Po ashtu, vlen të theksohet se në spitalin ushtarak në Gacaferr, derisa isha për trajtimin e plagës, kanë sjellë të plagosur edhe Bedri Shalën për trajtim”, rrëfen ai ngjarjet e gati 17 viteve më parë, me emocione sikur të kishin ndodhur një ditë më parë.
Maloku thotë se, meqenëse ushtria serbe, për shkak të humbjeve dhe të plagosurve gjatë luftimeve në Junik, pritej të hakmerrej ndaj popullatës shqiptare, ku në mesin e saj kishte shumë të plagosur, nga komanda e tyre është kërkuar që t’u dalin në ndihmë të plagosurve, duke përfshirë edhe popullatën e rrezikuar, me qëllim të sigurimit të një korridori për të dalë në territorin e Shqipërisë.
“Me ditë dhe net të tëra, pa hezituar fare, u kemi dalë në ndihmë dhe i kemi strehuar në shtetin amë, në Shqipëri”, thotë ai.
“Për ne ishte me rëndësi që lufta të vazhdonte deri në çlirimin e çdo pëllëmbe të Kosovës, me sa më pak gjak të derdhur, ndërsa armikut t’i shkaktonim humbje sa më të mëdha, si në ushtarë, po ashtu edhe në teknologji”, rrëfen ai. Vazhdon









