Një përleshje fizike mes disa personave ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Obiliq, ku përveç lëndimeve trupore janë shkaktuar edhe dëme materiale në prona.
Rasti është raportuar më 6 prill 2026 rreth orës 19:50 në rrugën “Tropoja”, ku njësitet policore kanë ndërhyrë menjëherë pas pranimit të informatës për një rrahje në progres.
Në vendin e ngjarjes, policia ka shoqëruar në stacion pesë persona të dyshuar për përfshirje në rrahje: S.Z rreth 17 vjeç, Muhmed Zorjani rreth 23 vjeç, Memi Zorjani, Elvis Zorjani rreth 25 vjeç dhe Elham Zorjani rreth 21 vjeç.
Sipas informacioneve, siç mëson Sinjali, deri te përleshja ka ardhur pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet palëve, ndërsa gjatë rrahjes janë dëmtuar xhamat e një veture dhe të një shtëpie.
Të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor në QKMF dhe QKUK, ndërsa njëri prej tyre është i mitur.
Pas trajtimit, palët janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale.
Me urdhër të prokurorit kujdestar dhe prokurorit për të mitur, është iniciuar rasti për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar për 24 deri në 48 orë.









