Vëllai i Madh vendosi përballë banorët e Big Brother VIP Albania 5 me një nga sfidat më ekstreme deri tani, duke testuar jo vetëm rezistencën fizike, por edhe qëndrueshmërinë emocionale të tyre.
Bëhej fjalë për një provë rezistence, ku konkurrentët duhej të qëndronin për një kohë sa më të gjatë brenda një kutie me akull.
Por sfida, përveç lodhjes ekstreme, solli edhe tension të lartë dhe përplasje të ashpra mes banorëve.
Situata doli jashtë kontrollit gjatë përballjes mes Rogertit dhe Mal Retkocerit, ku debati verbal u përshkallëzua ndjeshëm. Rogerti përdori një gjuhë të papërshtatshme, duke prekur tema personale dhe familjare të këngëtarit – një moment që u konsiderua i rëndë dhe i papranueshëm nga publiku.
“Kush ta ka bërë traumë jetën, mami apo babi?”, iu drejtua Rogerti Malit, një deklaratë që shkaktoi reagime të forta brenda shtëpisë, por edhe jashtë saj, duke marrë parasysh situatën e ndjeshme familjare të Mal Retkocerit.
Nga ana tjetër, Mali zgjodhi të ruajë qetësinë, duke mos reaguar ndaj provokimeve dhe duke tentuar ta injorojë situatën. Ky qëndrim u vlerësua nga një pjesë e madhe e publikut si i matur dhe dinjitoz, sidomos në një moment kaq të tensionuar.
Pamjet nga sfida u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku komentet dhe reagimet ishin të shumta. Shumë ndjekës të formatit kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të produksionit, duke e cilësuar deklaratën e Rogertit si tejkalim të kufijve dhe shkelje të etikës së lojës.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Vëllai i Madh do të marrë masa për këtë incident që ka ndezur debat të fortë publik.








