Rusia po kopjon në mënyrë intensive sistemet ushtarake pa pilot të zhvilluara nga Ukraina dhe po zgjeron me ritme të shpejta njësitë e saj të dronëve në frontin e luftës. Paralajmërimi vjen nga Robert Brovdi, komandanti i forcave ukrainase të dronëve dhe një nga figurat më të rëndësishme të luftës moderne të Kievit.
Në një intervistë për mediat ukrainase, Brovdi deklaroi se Moska po ndërton një strukturë gjigante të luftës me dronë, duke synuar që deri në fund të vitit 2026 të dyfishojë personelin e përfshirë në këtë sektor.
Sipas tij, në fillim të këtij viti, njësitë ruse të sistemeve pa pilot numëronin rreth 86 mijë persona, ndërsa objektivi është që kjo forcë të arrijë në 168 mijë ushtarakë dhe specialistë, përfshirë operatorë dronësh, teknikë, ekspertë të inteligjencës artificiale dhe telekomunikacionit.
“Rusët kanë njohuri teknike në disa fusha, por zakonisht kopjojnë dronët tanë. Për ta është më e lehtë të kopjojnë sesa të shpikin diçka nga e para”, tha Brovdi.

Robert Brovdi
Komandanti ukrainas konsiderohet një nga njerëzit më të kërkuar nga Moska pas presidentit Volodymyr Zelensky. Para luftës ai ishte biznesmen në sektorin e tregtisë së farërave dhe drithërave, pa eksperiencë ushtarake. Pas pushtimit rus në vitin 2022, ai krijoi njësinë e famshme “Skifterët e Magyarit”, e përbërë fillimisht nga civilë, entuziastë teknologjie dhe operatorë dronësh civilë.
Grupi përdori në fillim dronë komercialë të tipit Mavic të kompanisë kineze DJI për zbulim dhe monitorim, por gradualisht u kthye në një nga strukturat më efektive të luftës ukrainase me mjete pa pilot.
Brovdi pranon se Ukraina rrezikon të humbasë avantazhin strategjik që fitoi në fillim të luftës falë përdorimit inovativ të dronëve. Megjithatë, ai argumenton se Rusia ende mbetet pas në dy fusha kyçe: kontrollin e centralizuar të dronëve dhe komunikimet satelitore.
Ai paralajmëroi gjithashtu se Rusia po investon miliarda rubla për zgjerimin e flotës së saj të dronëve, megjithëse një pjesë e fondeve, sipas tij, do të humbasin për shkak të korrupsionit.
“Në fund, gjithsesi, kjo do të thotë se numri i dronëve rusë në front do të rritet ndjeshëm”, tha ai.
Një pjesë e rëndësishme e suksesit ukrainas lidhet me prodhimin e lirë dhe të shpejtë të dronëve. Kompania ukrainase “General Cherry”, e krijuar gjatë luftës në vitin 2023, prodhon aktualisht rreth 100 mijë dronë në vit për ushtrinë ukrainase.
Modeli më i fundit i saj, “Khmarynka”, është një dron i lehtë kamikaz me kosto rreth 1.000 dollarë për njësi, i aftë të mbajë deri në shtatë kilogramë eksploziv dhe të godasë objektiva ushtarake deri në 50 kilometra larg.

Sipas raportit, droni është zhvilluar përmes “reverse engineering”, duke kopjuar dhe modifikuar modele ruse të tipit “Molniya”.
Brovdi tha se Ukraina vazhdon të ketë avantazh falë lidhjes me rrjetin satelitor Starlink të Elon Musk, i cili u mundëson dronëve ukrainas të operojnë edhe në zona ku sinjalet GPS dhe radio janë të dobëta ose të bllokuara.
Megjithatë, Rusia po punon për krijimin e sistemit të saj alternativ ndaj Starlink, çka sipas Kievit mund të ndryshojë balancën teknologjike në të ardhmen.
Raporti thekson se lufta në Ukrainë ka transformuar mënyrën moderne të konfliktit ushtarak, duke e kthyer luftën me dronë në një nga elementët kryesorë të betejës në tokë, ajër dhe det.
Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen të rikuperojnë terrenin e humbur në këtë sektor. Pentagoni ka kërkuar mbi 13 miliardë dollarë për zhvillimin e dronëve të avancuar me inteligjencë artificiale, të aftë të marrin vendime autonome në fushëbetejë pa ndërhyrje direkte të operatorëve.









