Procesi i rinumërimit të plotë të votave nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, i iniciuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka nisur disa ditë më parë dhe tashmë po i afrohet fazës përfundimtare. Ky proces u ndërmor pas identifikimit të parregullsive serioze dhe dyshimeve për manipulime brendapartiake gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
Të dhënat më të fundit nga rinumërimi tregojnë se komunat Pejë, Rahovec dhe Podujevë kryesojnë për nga mospërputhjet e evidentuara nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë.
Në Rahovec, nga 51 vendvotime të rinumëruara nga gjithsej 76, kandidatit të VV-së, Ali Dula, i janë hequr 264 vota.
Parregullsi të konsiderueshme janë zbuluar edhe në Pejë. Nga 32 vendvotime të rinumëruara prej 139 sa janë gjithsej, kandidatit të VV-së Taulant Kelmendi i janë identifikuar 183 vota të tjetërsuara.
Ndërkohë, në Podujevë rinumërimi pritet të nisë gjatë pasdites dhe parashihet të jetë një tjetër rast problematik. Nga rreth 10 për qind e vendvotimeve të rinumëruara deri më tani, kandidatit të VV-së Ejup Maqedonci i janë evidentuar mbi 280 vota të tjetërsuara.










