Për dekada të tëra, e kemi parë botën dhe vendin tonë përmes thjerrëzës së Luftës së Ftohtë dhe, mbi të gjitha, frikës nga një luftë bërthamore. Breza të tërë amerikanësh, rusësh dhe evropianësh u rritën duke u përballur me kriza të njëpasnjëshme dhe kërcënimin e shfarosjes së menjëhershme, duke e konsideruar këtë si një pjesë normale të jetës së përditshme.
Për ata që lindën gjatë Luftës së Ftohtë dhe ata që u përfshinë në të nga një histori e pamëshirshme, ky ishte realiteti kryesor i kohës së tyre. Apokalipsi – qoftë përmes çmendurisë, zgjedhjes së qëllimshme apo një gabimi teknik – ishte bërë një element i përhershëm në mendimet e tyre.
Ai i kufizonte horizontet ekzistenciale në pyetje të thjeshta mbijetese, në atë vijë të hollë që ndan mençurinë nga çmenduria. Për një kohë të gjatë, kishte arsye të forta për t’u frikësuar se Lufta e Ftohtë mund të përshkallëzohej në një katastrofë globale.
Armët përfundimtare ishin gjithmonë gati në mbështjellëset e tyre prej betoni. Megjithatë, dy gjigantët bërthamorë, BRSS dhe SHBA, të tmerruar nga përmasat e fuqisë së tyre shkatërruese, tërhiqeshin gjithmonë përpara se ballafaqimi të kalonte në konflikt të hapur.
Ata arritën të ruanin paqen, sepse e dinin se një luftë në epokën bërthamore ishte e papranueshme. Provokimet që në kohë të tjera do të kishin çuar në shpallje lufte, u zbutën dhe u maskuan, siç ndodhi gjatë Krizës së Raketave në Kubë në vitin 1962.
Të dyja palët kishin një frikë të shëndetshme se mos nuk i mbijetonin dot asaj që do të pasonte. Duke kërcënuar me shkatërrim total, bomba ndihmoi paradoksalisht në ruajtjen e një paqeje të tensionuar.
Siguria ishte “bijë e terrorit” dhe mbijetesa ishte “motra binjake e asgjësimit”. Ky ishte një proces ironik dhe i dhimbshëm. Çarmatimi, i mundimshëm dhe i pjesshëm, ishte pasqyrimi i atij ankthi.
Ai filloi në vitin 1972 me nënshkrimin e traktatit të parë për kontrollin e armëve bërthamore. Imazhe të zbehta, buzëqeshje si fantazma: Nixon i përhumbur nën hijen e skandalit Watergate dhe Brezhnjevi, ende i qeshur nën vetullat e tij të dendura.
Duke filluar nga nesër, nëse nuk do të ketë kthesa të papritura, do të na duhet t’i rizbulojmë ato frikëra të vjetra. Kjo sepse skadon “New START”, traktati i fundit për kufizimin e armëve strategjike, i nënshkruar në vitin 2010 nga Obama dhe Dmitry Medvedev.
Në atë kohë, Medvedev luante rolin e “amerikanit” dhe pretendonte se ishte president vetëm për ta lejuar Putinin të anashkalonte kufizimet kushtetuese të mandatit. Traktati New START vendosi kufij numerikë për raketat balistike ndërkontinentale, bombarduesit dhe nëndetëset bërthamore.
Ai parashikonte edhe inspektime për të verifikuar zbatimin e marrëveshjeve dhe shkëmbimin e informacionit mes palëve. A ishte pak? Shumë? Ishte diçka që sot duket si një “parajsë prehistorike”.
Mbi këtë parajsë ka rënë si sëpatë “Epoka e Trazirave”, dhe pasojat e sulmit rus ndaj Ukrainës. Traktati kishte filluar të shpërbëhej. Moska ka refuzuar prej disa kohësh inspektimet amerikane dhe ka testuar armë vdekjeprurëse që nuk përfshihen në marrëveshje, siç janë raketat e reja hipersonike.
Edhe pse premtohet se de facto rregullat do të respektohen, situata mbetet e pasigurt. Trump, i fokusuar në projektin e tij të sistemit mbrojtës ”Kupola e Artë” për të garantuar paprekshmërinë e Amerikës, e kaloi çështjen me një lloj talljeje: “Nëse traktati skadon, skadon. Do të bëjmë një më të mirë…”.
Ndërsa shekulli po ecën, fundi i çarmatimit nuk duket se i intereson masave; madje, ai i bezdis dritat e skenës politike. Është shqetësuese të kujtosh se pa traktate shtohet pasiguria. Gjatë Luftës së Parë të Ftohtë, rëndësia e armëve bërthamore në ekuilibrin e fuqisë nisi të binte gradualisht.
Bombat bërthamore nuk kishin vlerë për zgjidhjen e konflikteve politike mes dy fuqive. Ato shërbyen vetëm për të ngrirë gjendjen ekzistuese. Madje, i detyruan fuqitë e mëdha të zbritnin në nivelin e vendeve të vogla dhe të luftonin me armë konvencionale në Vietnam apo Afganistan, në terrenin e zgjedhur nga guerilasit.
Ata kishin një fuqi të paparë, por nuk mund t’ua impononin vullnetin e tyre shoqërive më pak të zhvilluara. Ato nuk shërbenin as si “blof”, sepse askush nuk i beson një kërcënimi që nënkupton vetëvrasjen e vetë autorit.








