Sot në Gjykatën Themelore në Pejë është mbajur seanca për një nga rastet më të rënda kriminale që ka tronditur opinionin publik në Kosovë – vrasjen e trefishtë në fshatin Gllogjan të Deçanit, të ndodhur më 26 nëntor 2021.
Kryetri i trupit gjykes, Leon Përlaska ka thënë :Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, në seancën për këshillim dhe votim, të mbajtur nga anëtarët e trupit gjykues, në mënyrë unanime është vendosur që shqyrtimi gjyqësor të rihapet për arsyet si në vijim:
Prokuroria e Shtetit, në fjalën e saj përfundimtare, duke trajtuar videoincizimet në të cilat shihet i pandehuri Kreshnik Mehmetaj duke gjuajtur me armë në bjeshkë, ka paraqitur pretendimin se arma që shihet në video është arma e përdorur për kryerjen e veprës penale. Ky pretendim, në mënyrë formale, nga ana e Prokurorisë është paraqitur në fjalën përfundimtare.
Ndërkaq, trupi gjykues, gjatë seancës së këshillimit dhe votimit, ka gjetur raportin e Policisë, nga i cili rezulton se është kontrolluar vendi në bjeshkë ku Kreshnik Mehmetaj shihet duke gjuajtur me armë. Gjatë atij kontrolli rezulton se janë gjetur 13 gëzhoja dhe 1 fishek. Lidhur me këto prova është urdhëruar ekspertiza, përkatësisht raporti balistik, i cili gjendet në shkresat e lëndës.
Megjithatë, ky raport nuk është propozuar nga ana e Prokurorisë për administrim si provë dhe, për rrjedhojë, nuk është administruar fare gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Për këto arsye, gjykata ka vlerësuar se është e rëndësishme që ky raport, së bashku me dokumentet përcjellëse, të administrohet gjatë shqyrtimit të rihapur gjyqësor.








