Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, tha se është në pritje të numërimit të votave.
Ai në një postim në profilin e tij në Facebook, ka falënderuar qytetarët për votim.
“Të dashur qytetarë të Gjilanit, Sot e dëshmuat edhe një herë tjetër që qytetaria dhe përgjegjësia janë pjesë e qytetit tonë. Pjesëmarrja juaj në këtë proces zgjedhor dhe kultura gjatë votimit është dëshmia më e madhe për dashurinë dhe respektin për qytetin tonë. Tashmë vendvotimet janë mbyllur dhe presim me maturi numërimin e votave, të cilat do të reflektojnë vullnetin tuaj. Faleminderit me zemër!”, tha Hyseni.
Sipas Exit Poll-it të realizuar nga UBO Consulting, gara për kryetar të komunës së Gjilanit do të shkojë në balotazh.
Rezultatet paraprake tregojnë se Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin me 48.1% të votave, ndërsa Arber Ismajli nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 36.1%.
Kandidatët e tjerë renditen kështu: Riad Rashiq nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 12.9%, Nazim Gagica me 2.3%, dhe Isa Agushi me 0.7% të votave.

Marxhina e gabimit është 2%, sipas kompanisë, ndërsa për Exit Poll-in janë intervistuar mbi 50 mijë persona në 12 komuna të Kosovës.









