Anëtari i Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, i ka cilësuar si “transfere futbolli” largimet e disa deputetëve të Guxo-s nga LVV-ja, të cilët iu bashkuan Vjosa Osmanit.
Ai tha se këto largime nuk e dobësojnë LVV-në, por sipas tij, ata kanë marrë vota nga elektorati i VV-së.
Bashkimin e paralajmëruar të Osmanit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Rexhaj e quajti “koalicion të zorit”.
“Ne si LVV do të garojmë së bashku me partnerët tanë të koalicionit Guxo dhe Alternativa dhe natyrshëm formacioni ynë politik është i qartë dhe nuk ka të bëjë me koalicione që rëndom ndodhin me subjektet e tjera politike, të cilat i kemi parë si koalicione të zorit, të panatyrshme. Koalicione që nuk kanë të bëjnë me frymë bashkëpunuese ndaj njëra-tjetrës, por që ngjajnë me lojën e futbollit, si transferet e fundit. Këto transfere që po ndodhin janë të panatyrshme dhe në këtë panatyrshmëri nuk shoh interes, por shoh luftë dhe mllef kundër LVV-së. Kur Vjosa Osmani u përjashtua nga LDK-ja e kishte derën e hapur tek ne, ndërsa tani po shkon te një subjekt që është përjashtuar”, tha Rexhaj.
Ish-presidentja Osmani sot njoftoi se ish-deputetja e Guxo, Jeta Statovci, që ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, do të garojë bashkë me të për zgjedhjet e ardhshme.
Osmanit iu bashkua edhe ish-deputeti i Guxo, Haxhi Avdyli.









