Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten ka thënë se pesëshja mosnjohëse e BE-së ndaj Kosovës, duhet të ndryshojë qëndrimin e tyre.
Ai tha se edhe deklarimi i Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, se ka lëvizje në këtë drejtim, mund të jetë e besueshme.
“Unë shpresoj shumë që Komisionerja për Zgjerim Marta Kos, ka prova se gjërat po lëvizin rreth pesë vendeve të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Përndryshe, ajo nuk do ta thoshte një gjë të tillë fare”.
“Por mendoj se tani është koha që këto pesë vendet mosnjohëse ta kuptojnë se duke e pranuar Kosovën e pavarur, s’ka asgjë të bëjë me çështjet e tyre të mundshme, pra të brendshme, që ata mund t’i kenë. Pra, është koha e duhur që të lëvizet dhe sidomos me aplikimin e Kosovës që ajo e ka bërë për ta marrë statusin e vendit kandidat për në BE”, deklaroi Reuten.
Ai tha se me aplikimin e Kosovës mund të lëvizet pa asnjë problem, “se mund të shkelet ndonjë rregull a traktat i unionit, edhe nëse disa vende anëtare kanë nevojë për më shumë kohë që ta njohin Kosovën e pavarur”.
Sipas eurodeputetit holandez, çështja e njohjes së Kosovës duhet shtyrë përpara në mënyrë që shtetet që s’e njohin ta kuptojnë se kjo çështje s’ka të bëjë asgjë me çështjet a problemet e tyre të brendshme që ato shtete mund t’i kenë.
Kjo, siç tha Reuten, “ka të bëjë me një vend evropian, pra me Kosovën, e cila vazhdimisht përmendet në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Pra, Kosova është e ftuar në të gjitha samitet, si një nga vendet e Evropës Juglindore, dhe e cila e ka një perspektivë të anëtarësimit. Neve na duhet Kosova në familjen tonë. Prandaj unë sërish kam dërguar një amendament në Raportin e Sivjetshëm të Parlamentit Evropian, me të cilin thirren vendet anëtare që të nisin me procedimin e aplikimit për anëtarësimin në BE. Pra, që ky aplikim të dërgohet në Komision. Pra s’ka asgjë kontradiktore këtu dhe s’ka të bëjë me atë që disa vende nuk e kanë njohur pavarësinë. Mund të procedohet me këtë, ka raste të tilla. Pastaj Komisioni mund të nisë punën në aplikimin dhe të dërgojë madje edhe pyetësorin”, u shpreh eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.









