spot_img
Wednesday, December 10, 2025
spot_img

Retorika e Kurtit rrëzohet për 24 orë: Hajdari bojkoton gjykatën, del me justifikim

As 24 orë nuk u deshtën që të demantohen fjalët e Albin Kurtit, të cilat ai i tha në një video-adresim ditën e djeshme.

Vetëm një ditë pasi Albin Kurti deklaroi se “abuzuesit” e pasurisë publike nuk do të tolerohen, pikërisht ministrja e tij e akuzuar për dallavere me rezervat shtetërore, Rozeta Hajdari, zgjodhi të mos paraqitet në Gjykatë për nisjen e gjyqit për skandalin e madh.

Gjykatësi konfirmoi se ftesa i ishte dërguar, por nga Hajdari veproi si shefi i vet, nuk iu përgjigj institucioneve, veprim ky që bie ndesh me retorikën e fortë të kryeministrit për llogaridhënie dhe shtet të së drejtës.

Kryeministri që po kujdestaron, nga objekti i Qeverisë dje deklaroi se ligji duhet të jetë më i fortë se interesi dhe e vërteta më e rëndësishme se privilegji, ndërsa akuzat ndaj vartësve të tij i minimizoi si “zhurmë”.

Kurti lavdërohej me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Kritikonte Gjykatën Kushtetuese për bllokim të reformave, e akuzat ndaj vartësve të tij i quante më shumë zhurmë.

“Rezultatet do të ishin më të mira po të mos bllokohej reforma antikorrupsion nga Gjykata Kushtetuese, sidomos byroja shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Por, siç e thotë populli kjo vetëm vonim se shpëtim nuk ka”, tha Kurti.

Ai ka thënë se për qeverinë e tij lufta kundër korrupsionit është detyrë e përditshme.

“Dikur kishim shumë korrupsion e më pak zhurmë për prezencën e tij. Ai nuk luftohej sepse shteti ishte i kapur. Sot kur ekonomia e buxheti i shtetit është shtuar me miliarda, kur janë luftuar e larguar abuzuesit e homologimeve, asfaltimeve e terminaleve, duke kursyer qindra miliona, ka ngelur, vetëm zhurma. E më të zhurmshmit janë ata që kanë humbur më së shumti”, tha Kurti.

Por, pa zhurmë e në heshtje, ministrja e tij Rozeta Hajdari, vendosi të mos shkonte në Gjykatë si e akuzuar për dallavere me rezervën e shtetit.

Ajo nuk mori pjesë në seancën e sotme, dhe si rezultat procesi do të vazhdojë në janar, pra pas zgjedhjeve.

“Të nderuar qytetarë, Për seancën e sotme gjyqësore, lidhur çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se, unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore!”

Gjyqtari Avni Syla tha se ftesa është dërguar, megjithatë nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Si rezultat, seanca e radhës u caktua më 13 janar.

Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi, do të përballen me drejtësinë.

Ata po akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

“Në periudhën kohore shkurt-mars të vitit 2022 në Prishtinë, Rozeta Hajdari, në pozitën e ministres, Irfan Lipovica, në pozitën e zëvendëssekretarit dhe Hafiz Gara në pozitën e drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, që të gjithë në cilësinë e personave zyrtarë në kuadër të MINT, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Kosovës, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare si dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ngase në kuadër të mjeteve buxhetore të ndara nga Qeveria e Kosovësn ë shumën prej 10 milionë euro, nuk i kanë kryer detyrat e domosdoshme përkitazi me procedurën e blerjes së mallrave të rezervës shtetërore të Kosovës për vitin 2022, konkretish produktin e grurit, vajit dhe sheqerit, për faktin se e kanë shmangur procedurës së hapur të prokurimit publik siç është përcaktuar në nenin 19 dhe 20 të Ligjit për Rezervat Shtetërore, dhe në kundërshtim me këto dispozita kanë aplikuar procedurën e negociuar, në kundërshtim edhe me kushtet e përcaktuara në nenin 35 të Ligjit për Prokurim Publik, veprime këto që bien në kundërshtim të plotë edhe me parimet e transparencës, konkurencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëvë ekonomik, të përcaktuara në nenin 7 të Ligjit për Prokurim Publik, ku si rezultat i kësaj, MINT me datë 15.03.2022 fillimisht ka lidhur kontratën bazë me OE “Yafe Turzim Insaat Sanay ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për blerjen e grurit në sasi prej 10 mijë tonë, me çmim të përgjithshëm 4 milion e tetëqind e 34 mijë euro, ndërsa me datë 29.03.2022 aneks-kotratën me nr.1960-02 me të njëjtin operator ekonomik, për shpenzimet e transportit të grurit në sasinë e përcaktuar si në kontratën bazë nga shteti i Turqisë në deri në portin e Durrësit, në vlerë 295 mijë euro, ndërsa me OE “Xnato SP ZO” me seli në Poloni, ka lidhur kontratë për blerjen e vajit në sasi 200 mijë litra, dhe sheqerit në sasi 129 mijë kg, me çmim të përgjithshëm 276 mijë euro, ku edhe përkundër faktit se pagesa e çmimit të kontraktuar është në kundërshtim me Ligjin për Buxhetin të Vitit 2022, është bërë 100% në avancë nga MINT, OE “Yafe Turizm” nuk e ka përmbushur obligimin kontraktues sa i përket sasisë së grurit duke sjellë 58.98 tonë grurë më pak se si ishte përcaktuar në kontratë, përderisa OE “XANTO” nuk i ka sjellë fare produktet vaj dhe sheqer të përcaktuar në kontratë, dhe kështu ka cenuar rëndë interesin publik të Kosovës duke i shkaktuar dëm në shkallë të madhe buxhetit të Kosovës”, thuhet qysh në hyrje të aktakuzës.

Ministrja Rozeta Hajdarit akuzohet se ka qenë e përfshirë direkt në dhënien e këtyre tenderëve, duke dëmtuar buxhetin e shtetit. Madje, duke paguar grurin gati 300 euro më shumë se sa ishte vlera në treg.

“Duke mos përmbushur detyrat zyrtare, me datë 17.03.2022, pa publikim të shpalljes publike, dheduke u bazuar në procedurë të kundërligjshme me negocim, e zhviluar ndërmjet të pandehurve Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Tomas Tokarski, sipas sygjerimeve ndërmjetësimit, dhe ndihmës së të pandehurit Ridvan Muharremi, ka nënshkruar kontratë, me këtë operatorë ekonomikë për furnizim me vaj në sasi 200 mijë litra, dhe sheqer në sasi 120 mijë kilogramë, me çmim të përgjithshëm 274 mijë e 400 euro”, thuhet në aktakuzë.

Madje, Rozeta Hajdari, kishte nënshkruar aneks-kontratë për transport të grurit, edhe pse paraprakisht, kjo parashihej në kontratën fillestare.

“Më pas e pandehura Rozeta Hajdari, në koordinim të plotë edhe me të pandehurin Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, duke mos përmbushur detyrat zyrtare, ka vazhduar me shkelje të radhës, për blerjen e grurit në emër të MINT sipas kërkesës së Ridvan Muharremit ka nënshkruar aneks kontratën për furnizim me grurë, përmes së cilës MINT ka marrë për obligim shpenzimet e transportit të grurit në vlerë prej 295 mijë euro”, thuhet në aktakuzë.

“I pandehuri Hafiz Gara në koordnim të plotë me të pandehurit Irfan Lipovica dhe Rozeta Hajdari, me qëllim të kufizimit të konkurencës, favorizimit të operatorëve ekonomikë, dhe fshehjes së shkeljeve ligjore në këtë aktivitet, duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, me datë 25.02.2022 përmes emailit zyrtar nën arsyetimin e përshpejtimit të procedurave të furnizimit me mallra të Departamentit të Rezervave Shtetërore ka kërkuar nga i pandehuri Irfan Lipovica, që të parashtrojë kërkesë në Qeverinë e Kosovës për përjashtim nga procedura e prokurimit dhe në raport me këtë i pandehuri Irfan Lipovica në bashkëveprim me të pandehurën Rozeta Hajdari, në të njëjtën datë, me dijeni se po veprojnë në kundërshtim me nenin 19 dhe 20 të Ligjit për Rezerva Shtetërore të Mallrave, duke tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, i kanë drejtuar Qeverisë së Kosovës kërkesën për përjashtim nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të rezervës shtetërore të mallrave, së bashku me deklaratën e pajtueshmërisë, memorandumit shpjegues, dhe draft propozim – vendim, të cilin qeveria e Kosovës e kishte miratuar të nesërmen me datë 26.02.2022, me vendim numër 01/65, poashtu siç ishte draftuar nga të pandehurit, i cili përveç se ishte bazuar në nenin 3 të ligjit për Prokurimin Publik, ligj i cili nuk ishte në fuqi në atë kohë, për shkak të ndryshimit të tij, dhe përmbajtjen e kishte në kundërshtim me nenin 9, 19 dhe 20”, thuhet në aktakuzë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit