Shkruan Kimete Berisha
(Tërbimi masiv.)
…
1.
Edhe një qeder.
Sami Lushtaku edhe një herë tregoi se
nuk udhëhiqet nga mendja.
Udhëhiqet nga emocionet.
Nga emocioni më i tmerrshëm:
zemërimi.
Ish-gjenerali nuk ka arritur pjekurinë emocionale për t’u përmbajtur pikërisht atëherë kur “kërkohet” të mos përmbahet.
Rrezik.
…
2.
Dhe:
Kujton?
Që i merr dikush lakmi?
Që është marifet të jesh kapadai?
Se liria është vetëm fizike?
Se meraku për ta rrahur këdo që ta përmend emrin –
derisa të të mbetet dikush në dorë –
është trimëri?
E nuk është çmenduri?
Çlirimtari ka mbetur rob i zemërimit të vet.
Kurrë
nuk e zotëron zemërimin.
Gjithmonë
zemërimi e zotëron atë.
Madje,
i vjen lezet
që i frikësohen.
“A e dini kush jam unë?”
I rrethuar me truproja,
në orar pune, e rrahu një “rival politik”
ulur në kafene.
Është trim.
Kujt të dojë,
kur të dojë…
ia llapangjesh.
Dhe:
Nuk ia mbush syrin “rivali”.
Prandaj,
në praninë e grave,
e qëlloi me gotë qelqi në kokë,
me karrige dhe me telefon…
derisa e mbuloi me gjak.
…
3.
Vjen një kohë kur asgjë nuk të ka më hije,
përveç urtësisë.
Një kohë kur edhe dashuria të bën qesharak.
Lëre më zemërimi.
Dikush vjen nga udhë të largëta.
Dikush kapërcen dete e qiej
me nijet për të të nxitur…
Me porosi.
Për qejf.
Për hakmarrje.
Motivi nuk ka rëndësi.
I urti,
kurrë nuk ia jep tjetrit atë që e lyp prej teje.
Kurrë.
I urti,
nuk e bën luftën në oborrin e vet.
Kurrë.
As atëherë.
Kur je i urtë,
nuk hyn në lojën e tjetrit kur do ai,
por vetëm kur do ti.
E ti nuk do.
Kurrë.
…
Dhe jo vetëm ai.
Secili.
Kur del nga shtëpia me këmbë të djathtë dhe me lutjen:
“Mos u zatetsha…”
Sepse në rrugë, në kafene, në oda, në punë, kudo…
ka të atillë që sapo kanë marrë një lajm tragjik;
të atillë që kërkojnë dramë;
të atillë që e kërkojnë fundin e tyre;
të atillë që kanë harruar t’i pinë ilaçet.
Dhe sidomos të atillë që janë mbushur me mllef ndaj dikujt tjetër,
dhe shfryhen krejt papritur mbi dikë
që as e njohin,
as ia dinë emrin.
…
4.
Personi i përgjakur ka mundur të pësojë krejt…
A s’është tentim-vrasje?
Ka raste kur dikush,
edhe nga një kokërr misri,
e ka humbur shikimin.
Fundi ndodh një herë
dhe nuk zhbëhet më.
…
5.
PDK gjithmonë e ka mitizuar dhunën.
E merr për trimëri.
E kanë atë sevdanë e kapadaillëkut.
Sipas tyre:
burri është me frymë në fyt –
ai që nuk duron.
Kështu mendojnë edhe shumë gra të partisë.
Në vend të lidhjes së plagës
dhe thirrjes për pajtim,
PDK sillet si fis i zemëruar që e mbështet gjakderdhjen.
Kështu:
bën vetëvrasje politike.
Kështu:
e ushqen narrativën e vjetër
se ka bërë zullume…
Për mua,
po bën vetëvrasje politike.
Sepse:
nuk di më mirë.
Pra:
çdo gjë që bën
e bën nga padija.
Padija e tyre
është aq e madhe,
sa publikisht
e përkrahin gjakderdhjen.
…
6.
Sipas tyre:
“Lypësi – gjetësi.”
Për një fjalë goje…
Pra,
nëse dikush të thotë:
“më mbyt se e meritoj” –
ti e mbyt?
Edhe më keq.
Bedri Hamza,
pasi e legjitimoi sulmin,
e këshilloi Albin Kurtin:
“Ndalu.”
Demek:
thuaji policisë të pajtohet.
Me fatin.
Pra:
edhe të rrahin,
edhe ankohen
që i detyrove të të rrahin.
Bedri Hamza.
Apolitik.
Mendon se,
po të dojë Albini,
“nuk ndalet”.
Sikur shteti të varej
nga dëshirat e Albin Kurtit.
…
7.
Bedri Hamza e bën “mit” Albin Kurtin.
Nga padija.
Përsëri.
PDK gjithmonë ia jep Albin Kurtit
pikërisht atë me të cilën ai ushqehet:
krizën,
konfliktin,
dramën.
Bash aty ku ai shkëlqen.
Bash kur i duhet
të duket “hero i rrethuar”.
…
8.
Jo vetëm partia.
Një pjesë e shoqërisë po e legjitimon dhunën sepse mendon:
“Kush e lyp, e gjen.”
Edhe gazetarë të njohur kanë gjetur “argument”
për t’i thënë gjakut: rrjedh.
“Edhe Albini i ka sulmuar policët”
– thonë.
Domethënë:
e marrin shembullin gabim.
Sepse Albin Kurti ka qenë prijës protestash kur është çartur,
jo sulmues në kafene.
Dhe:
Publiku nuk po pyet:
kush është burrë më i mirë?
Por po pyet:
kush është burrë më i mençur?
Dhe kujt po i rrjedh gjaku…
…
9.
Atmosfera:
shi dhe luftë.
E pistë.
Shqiptarët:
as shiut,
as luftës,
s’i tutën.
Drejtësia?
Bah.
…
EPILOG
Kryetari i PDK-së,
bashkë me kryesinë,
duhet të merret në pyetje
për legjitimimin e gjakderdhjes.
Kryetari i Skenderajt duhet të marrë pushim
dhe të shërohet nga zemërimi.
E ata të tjerët – së bashku të lexojnë një libër…
derisa të binden se:
jo arroganca,
por urtësia është mençuri.
Dhe se është pamençuri të besosh:
një herë i mirë – përgjithmonë i mirë.
Ka kohë për t’u koritur.
Deri në fund.
…
P.S.
Hollywood or Bust.
…
AUTOKRITIKË:
Ik në Paris…









