Përmbytjet shkatërrimtare që goditën Texasin kanë marrë tashmë jetën e të paktën 27 personave, sipas të dhënave të përditësuara nga Sherifi i Kerr County, Larry L. Leitha. Nëntë prej viktimave janë fëmijë, një tregues tronditës i shkallës së tragjedisë që ka përfshirë komunitetin e vogël në zemër të shtetit.
Sherifi konfirmoi gjithashtu se mbi 850 persona janë shpëtuar ose evakuuar, përfshirë tetë të plagosur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë me intensitet të lartë. Leitha theksoi se situata është ende dinamike dhe numrat mund të ndryshojnë.
Kampi i vajzave dhe dhimbja e një komuniteti të shkatërruar
Një ndër pikat më të ndjeshme të tragjedisë mbetet Camp Mystic, kampi i vajzave në qytetin Hunt, ku rreth 20 fëmijë rezultojnë ende të zhdukur. Bëhet fjalë për një kamp veror të njohur me orientim të krishterë, që ka qenë pjesë e identitetit të komunitetit për dekada.

“Ne nuk do të ndalojmë derisa të gjejmë çdo person të zhdukur”, u shpreh Sherifi Leitha me emocion në një konferencë për shtyp, duke u bërë thirrje banorëve të raportojnë çdo informacion për të afërmit e humbur në një qendër telefonike të dedikuar.
Traditat që mbyten bashkë me lumin
Në qytetin Hunt, përmbytjet kanë fshirë gjithçka që përfaqësonte zemrën e komunitetit: kampet verore dhe Crider’s Rodeo, një institucion lokal që pritej të festonte 100-vjetorin e tij këtë 4 Korrik. Jerry Adams, një banor vendas, tha me lot në sy: “Crider’s ishte buka e përditshme e të gjithëve… Tani nuk ka mbetur asgjë. Kjo nuk do të jetë kurrë më si më parë.”

Jeff Harris, anëtar i Këshillit Bashkiak të Kerrville, deklaroi për CNN se kjo është një plagë e thellë për një qytet ku “të gjithë njihen me njëri-tjetrin”. Ai i bëri thirrje gjithë amerikanëve të luten për qytetin e tij: “Ajo që kemi më shumë nevojë tani është lutja.”

Ndërsa shpresat për të gjetur të mbijetuar janë gjithnjë e më të pakta, autoritetet i bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë të informuar dhe të bashkëpunojnë me ekipet e shpëtimit. Shteti i Texas është në gjendje emergjence, ndërsa rreziku i përmbytjeve të reja mbetet aktiv për shkak të parashikimeve të mëtejshme të reshjeve.






