spot_img
spot_img
Friday, December 19, 2025
spot_img
spot_img

Rendi dhe siguria publike në Mitrovicën e veriut një analizë e thellë nga këndvështrimi profesional i një kriminalisti

Nga Besnik Xhaka – Kriminalist

Si kriminalist me formim teorik dhe përvojë operative, e konsideroj të domosdoshme që çështja e rendit dhe sigurisë publike në Mitrovicën e Veriut të trajtohet jashtë emocioneve, sloganeve politike dhe logjikës së imponimit të forcës.

Kriminalistika Operative, si disiplinë shkencore dhe profesionale, funksionon mbi analiza, parime dhe përvoja të verifikuara, jo mbi impulse të momentit.

Pikërisht nga ky këndvështrim, përdorimi i njësive speciale si instrument kryesor për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike në këtë zonë përbën një devijim serioz nga parimet e policimit modern dhe nga filozofia e Shkollës së Parisit.

Rendi dhe siguria publike, në kuptimin kriminalistikës operative, nuk është thjesht mungesë e trazirave apo e dhunës së hapur.

Ai është një gjendje e qëndrueshme marrëdhëniesh shoqërore, ku normat respektohen sepse perceptohen si legjitime, dhe ku policia pranohet si autoritet i ligjshëm e jo si forcë imponuese.

Ky është thelbi i Shkollës së Parisit: policia nuk është trupë ushtarake, por institucion civil me funksion social.

Në Mitrovicën e Veriut, realiteti është shumë më kompleks sesa një problem i zakonshëm rendi. Bëhet fjalë për një hapësirë me ngarkesë historike, etnike dhe politike, ku çdo veprim policor ka peshë simbolike.

Në një mjedis të tillë, kriminalistika operative kërkon kujdes maksimal në zgjedhjen e mjeteve, sepse mjeti i gabuar prodhon efekt të kundërt nga ai i synuar…Njësitë speciale janë, nga natyra e tyre, struktura të ndërtuara për logjikën e konfrontimit. Ato trajnohen për ndërhyrje të shpejtë, neutralizim kërcënimesh dhe përdorim të kontrolluar të forcës. Këto janë aftësi të domosdoshme në situata të jashtëzakonshme, por absolutisht të papërshtatshme për menaxhimin e përditshëm të rendit dhe sigurisë publike. Kur këto njësi shndërrohen në instrument rutinor të sigurisë, kemi të bëjmë me militarizim të rendit civil, gjë që kriminalistika moderne e konsideron regres profesional.

Nga përvoja kriminalistike dihet se policia që mbështetet kryesisht në frikë, humb aftësinë për të parandaluar. Frika mund ta ndalë veprimin e hapur kriminal përkohësisht, por ajo nuk e zhduk kriminalitetin; përkundrazi, e shtyn atë në forma më të fshehta, më të organizuara dhe më rezistente ndaj zbulimit.

Në Mitrovicën e Veriut, kjo rrezikon të krijojë një kriminalitet latent, të padukshëm, por shumë më të rrezikshëm…

Një aspekt thelbësor që shpesh neglizhohet është dimensioni psikologjik i rendit dhe sigurisë publike. Prania e vazhdueshme e njësive speciale krijon ndjesinë e gjendjes së jashtëzakonshme të përhershme.

Qytetari nuk e jeton më hapësirën publike si ambient normal, por si zonë të kontrolluar. Në kriminalistikën operative, kjo gjendje prodhon distancim social, mosbesim dhe refuzim të autoritetit, edhe kur ai vepron ligjërisht.

Shkolla e Parisit e ka artikuluar qartë këtë rrezik:

kur policia shfaqet vetëm si forcë, shoqëria fillon të sillet si kundër-forcë.

Kjo nuk ndodh domosdoshmërisht në formë të dhunshme, por në forma pasive: mosbashkëpunim, heshtje, fshehje informacioni dhe legjitimim moral i shkeljes së ligjit.

Nga këndvështrimi kriminalistikës operative, një nga pasojat më të rënda të kësaj qasjeje është shkatërrimi i inteligjencës kriminale preventive. Parandalimi është themeli i policimit modern.

Ai mbështetet në sinjale të hershme, informacione joformale dhe marrëdhënie besimi me komunitetin.

Këto nuk ndërtohen me njësi speciale, por me polici të zakonshme, të njohur, të qasshme dhe të pranishme në jetën e përditshme.

Një Kriminalist (banor rezident) i Mitrovicës së Veriut e di se qytetarët flasin me policin që e njohin, jo me atë që e frikësohen.

Nëse kjo hallkë prishet, policia mbetet e verbër dhe reagon vetëm pasi dëmi ka ndodhur. Kjo është polici reaktive, jo preventive dhe ky është dështim profesional.

Një tjetër problem madhor është politizimi i rendit dhe sigurisë publike.

Në momentin që njësitë speciale shndërrohen në simbol të autoritetit shtetëror, çdo ndërhyrje e tyre lexohet politikisht.

Kriminalistika operative, si disiplinë neutrale, humb terrenin. Rendi nuk perceptohet më si çështje ligji, por si betejë narrativesh. Në këtë pikë, policia humb rolin e arbitrit dhe perceptohet si palë.

Normalizimi i kësaj gjendjeje është veçanërisht i rrezikshëm.

Një territor që mbahet për një kohë të gjatë nga njësi speciale dërgon mesazhin se policia e rregullt nuk është e mjaftueshme. Kjo minon autoritetin institucional dhe krijon varësi nga forca e jashtëzakonshme. Nga këndvështrimi politikës kriminale, kjo është shenjë dobësie strukturore të shtetit, jo forcë.

Shteti i fortë e ushtron sovranitetin pa e demonstruar vazhdimisht atë. Shteti i pasigurt e shfaq forcën si përpjekje për ta kompensuar mungesën e legjitimitetit.

Ky dallim është thelbësor për ta kuptuar situatën në Mitrovicën e Veriut.

Alternativa profesionale është e qartë dhe e provuar në teori dhe praktikë:

rendi dhe siguria publike duhet të mbështeten në polici territoriale(komunale) të rregullt, të trajnuar në policim në komunitet, të integruar në realitetin lokal dhe të pajisur me aftësi komunikuese dhe profesionale. Kjo polici duhet të jetë e dukshme, por jo provokuese; e fortë, por jo represive, autoritare, por jo frikësuese.

Njësitë speciale duhet të ekzistojnë si garanci e fundit, jo si fytyrë e përditshme e shtetit. Sa më pak të duken, aq më i shëndetshëm është rendi dhe siguria publike. Ky është paradoksi i forcës në kriminalistikën operative: përdorimi i saj i tepërt tregon dobësi, jo siguri.

Në konkludim, nga këndvështrimi i im si një kriminalisti dhe banor rezident i Mitrovicës së veriut, përdorimi i njësive speciale për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike në Mitrovicën e Veriut nuk është zgjidhje afatgjatë, por simptomë e një qasjeje të gabuar strategjike.

Kjo qasje bie ndesh me parimet e kriminalistikës operative dhe filozofinë e Shkollës së Parisit. Prandaj:

Rendi dhe siguria publike i vërtetë nuk mbahet me frikë, por me pranim.

Jo me gjendje të jashtëzakonshme, por me normalitet institucional.

Jo me tytë arme, por me besim shoqëror.

Autori është njohës i kriminalistikës dhe krimit të organizuar

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit