Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës edhe sot në orën 11:00 kanë qenë prezentë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku do të duhej të mbahej vazhdimi i seancës konstituive.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, tha se Albin Kurti nuk mund t’ua marrë deputetëve mandatin që ua kanë dhënë qytetarët me votë.
“Një vandal politik, që përgjatë gjithë karrierës së tij ka ditur vetëm një gjë: si të shkatërrojë, dhe asnjëherë si të ndërtojë. Vandali Albin Kurti po harron se ky shtet nuk është pronë private. Kushtetuta nuk është pronë private. Kuvendi nuk është pronë private. Republika e Kosovës nuk është pronë private”, theksoi ai.
PDK do t’i drejtohet përsëri kryesuesit të seancës për nga mosha, Avni Dehari, me kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive pas 48 orësh.








