Gazetari Valon Syla e ka përfunduar arrestin prej 48 orësh, që ishte caktuar pas dyshimeve se e ka rrahur bashkëjetuesen e tij.
“Pikë së pari, e dashura jeme është shumë zojë dhe e veçantë për të qenë unë i dhunshëm e që s’jam, në kuptimin që mund të kuptohet në publik si boksa e shkelma apo rrahje… ky rast nuk ka të bëj me një gjë të tillë, por më shumë ishte një fjalosje apo përlamje… me ngrehje krahu (tjerat i gjeni në dosje të gjyqti) e për çka i kërkoj falje asaj, familjes së saj dhe times, e sidomos nënës së saj dhe times”, shkruan ai.
Gazeta ka raportuar ekskluzivisht të shtunën, më 28 qeshor, se gazetari Valon Syla është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëjetueses së tij.
Sipas të dhënave policore, viktima E.N. ka deklaruar se është sulmuar fizikisht dhe ofenduar rëndë nga i dyshuari, për çka ka pranuar trajtim mjekësor dhe është fotografuar për dëshmitë e lëndimeve.
Ndryshe, sot Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar gazetarit Valon Syla masën e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar.









