Prokuroria Speciale e Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin fajësues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me sulmin terrorist ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në dhjetor të vitit 2022 në Mitrovicë të Veriut.
Sipas PSRK-së, ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe dërgon një mesazh se aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të tolerohen.
Postimi i plotë:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret aktgjykimin fajësues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me sulmin terrorist ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në dhjetor të vitit 2022 në Mitrovicë të Veriut.
Gjykata e shkallës së parë i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Millun Millenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vllajiq, ndërsa ka liruar nga akuzat Miomir Vakiq. Pas pranimit të aktgjykimit të plotë, prokurori i rastit do të shqyrtoj të drejtën e ankesës.
Megjithatë, ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe dërgon një mesazh se aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të tolerohen.
PSRK, është e përkushtuar në punën e saj për të garantuar sigurinë e institucioneve dhe funksionimin normal të tyre, dhe sigurinë publike.






